Edhe kjo ndodh në Kosovë/ Zgjedhje të reja për Asamblenë e Leposaviqit, kjo është arsyeja
Institucionet kosovare mund të sfidohen sërish për organizimin e zgjedhjeve të reja në veriun e Kosovës. Kësaj radhe, jo në të gjitha komunat, por vetëm në atë të Leposaviqit dhe vetëm për Kuvendin komunal të tij.
Kjo situatë e re dhe e padëgjuar më pare, vjen pasi asnjë parti politike nuk ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me vendimin e ditës së premte të KQZ-së për moscertifikimin e asamblistëve të rinj të kësaj komune, që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit.
Afati 24 orësh për t’u ankuar në PZAP lidhur me këtë vendim të KQZ-së ka kaluar, por në këtë institucion askush nuk është ankuar.
lajm është konfirmuar për Demokracia.com nga Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mul Desku. I pyetur se a ka pranuar PZAP ndonjë ankesë nga partitë garuese lidhur me moscertifikimin e asambleistëve të rinj për Kuvendin Komunal të Leposaviqit, Desku ka thënë se “Lidhur me pyetjen e parashtruar nga ana e juaj, ju njoftojmë se në PZAP asnjë subjekt politik nuk ka dorëzuar ankesë”.
Të premtën, me 28 prill, KQZ-ja ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, por vetëm për krytarët e katër komunave dhe për asambleistët e rinj të Kuvendit Komunal të Zveçanit.
Certifikimi i asambleistëve të Leposaviqit nuk ndodhi pasi nuk u votua nga së paku 8 anëtarë të KQZ-së, aq sa kërkohet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Kjo ndodhi pas debatit të gjatë të zhvilluar në mbledhjen e KQZ-së, për shkak të dallimeve të mëdha në mesin e anëtarëve të KQZ-së lidhur me atë se duhet t’u jepet mandati edhe 3 kandidatëve të tjerë të cilët nuk kanë fituar asnjë votë në ditën e zgjedhjeve.
Në zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Leposaviqit, Vetëvendosje ka fituar 15 mandate nga gjithsej 19, por sipas rezultateve të KQZ-së, vetëm 12 prej tyre kanë fituar vota. Dy partitë tjera, Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia Kosovskih Srba kanë fituar nga 2 mandate. Sipas rezultateve të KQZ-së, vetëm 16 asambleistë kanë vota nga 19 sa është numri i ulëseve.
Në mbledhjen e KQZ-së, përfaqësuesit e VV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kanë mbrojtur fuqishëm kërkesën që KQZ-ja t’iu japë mandatin edhe 3 kandidatëve që janë me 0 vota.
Kjo është kundërshtuar nga anëtarë të tjerë të KQZ-së, Ilir Gashi e Arianit Elshani nga PDK, Sami Hamiti nga LDK dhe Ibrahim Selmonaj nga AAK. Të gjithë këta nuk e kanë mohuar se Vetëvendosje ka fituar 1 mandate në këto zgjedhje, por sipas tyre mandatin mund ta fitojnë vetëm kandidatët që fitojnë vota, por jo edhe ndonjë prej tyre që të paktën nuk e ka fituar një votë.
Mes këtyre dallimeve të mëdha është hedhur në votim vendimi për certifikim, por ai nuk ka marrë votat e mjaftueshme, 8, çka do të thotë se edhe kandidatët që kishin fituar vota nuk janë ceritfikuar.