Edhe kjo ndodh në RTK
Drejtori i RTK-Radios, Arsim Halili përmes llogarisë së vet në “Facebook”, ka bërë të ditur për një veprim të turpshëm të njërit nga të punësuarit në këtë institucion.
Sipas fotografive të publikuara, punëtori i RTK-Radios shihet duke e mbushur me rrymë veturen e tij në oborrim e RTK-së.
“Aq shumë e thellë është rrënjosur mentaliteti zhvatës dhe i keqpërdorimit të aseteve publike saqë ka individ që dukurinë e vjedhjes së rrymës nga vendi i punës për nevoja dhe përfitime personale e sheh si veprim normal”, ka shkruar Halili në llogarinë e vet.
Postimi i plotë i tij:
Aq shumë e thellë është rrënjosur mentaliteti zhvatës dhe i keqpërdorimit të aseteve publike saqë ka individ që dukurinë e vjedhjes së rrymës nga vendi i punës për nevoja dhe përfitime personale e sheh si veprim normal.
Një rast i tillë abuzimi me energjinë elektrike është kapur në flagrancë në oborrin e RTK Radio.
I punësuari, pasi e ka kryer orarin zyrtar të punës, rreth orës 18:00, e ka sjellë veturën e tij private duke marr edhe kabllon me vete, për ta mbushur me rrymë në oborrin e RTK Radios.
Sipas informatave të konfirmuara, kjo dukuri e shëmtuar e keqpërdorimit të pasurive dhe aseteve të institucionit publik, del të jetë e planifikuar dhe e paramenduar pasi nuk ka ndodhur për herë të parë, por është aplikuar në vazhdimësi, derisa është raportuar dhe zënë në flargrancë.
Çudia tjetër është se pasi është inicuar trajtimi i këtij rasti konform rregullativës së brendshme të RTK dhe pasi i është ndaluar qasja me veturë për ta prevenuar përsëritjen e kësaj vepre penale të keqpërdorimit të parasë publike të taksapaguesve, abuzuesi, në vend se të pendohet për veprën dhe ta pranoj fajësinë ka marr guximin ta thërras në telefon drejtorin e institucionit dhe t’i drejtohet me arrogancë, me tone kërcënuese e fyese.