Kopiliqi i Skenderajt bëhet edhe me dy rrugë të reja
Ka filluar implementimi i projektit të ri rrugor në fshatin Kopiliq, i cili parasheh asfaltimin e dy segmenteve rrugore, përkatësisht rrugën në lagjen “Havolli” dhe në atë “Pavarësia”.
Me këtë rast, fillimin e punimeve e kanë inspektuar nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, së bashku me drejtoreshën për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit, Sanije Ahmeti, inxhinierët dhe profesionistët e kësaj komune.
Në anën tjetër, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se është i kënaqur me vlerësimet pozitive të banorëve vendas për punën e tij. “Nëpërmjet këtij projekti, që vije si rezultat i kërkesave të kamotshme të banorëve të fshatit, e që komuna jonë po u përgjigjet pozitivisht, do të asfaltohen rreth 3 500 metra rrugë lokale brenda lagjeve, përkatësisht rrugët ‘Havolli’ dhe ‘Pavarësia’. Jemi të kënaqur me vlerësimet pozitive të deklaruara nga vetë banorët e fshatit që ka dhënë kontribut të madh në luftë, por pa mundur deri tani t’i shijojë përfitimet e buxhetit komunal”, ka deklaruar kryetari Jashari.
Edhe banorët e fshatit në fjalë e kanë mirëpritur nisjen e punimeve, duke e vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e kryetarit Jashari dhe ekzekutivit për këto projekte të rëndësishme për qytetarët e Skenderajt.
/Epoka e re/