Edhe lideri i PDK-së propozon që zgjedhjet të mbahen më 26 janar
Kryetari subjektit më të madh opozitar Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi tha se partia e tij është gati për zgjedhje në çfarëdo date.
“Sot, në takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Ai ka thënë se PDK-ja ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date.
“Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian. PDK, sikur në secilën periudhë të rëndësishme të vendit tonë, do jetë aty për të dhënë kontributin e saj për shtetin dhe qytetarët. E, në zgjedhjet e reja nacionale, do të jetë aty edhe me platformën, kandidatin për kryeministër dhe listën më të mirë zgjedhore, për t’u ofruar qytetarëve alternativën që u ka munguar në katër vitet e fundit”, ka shkruar Krasniqi.