Edhe mbrëmë, edhe sot, e mendova dorëheqjen
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, para pak çasteve ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka kërkuar nga organet e hetuesisë që të zbardhet rasti i të riut nga Gjilani që vdiq në Qendrën e Studentëve.
Vitia u ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të 26-vjeçarit, ndërsa ka thekuar se nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës do të ushtrohen të gjitha përgjegjësisë institucionale dhe do të zbardhet në hollësi çdo gjë që lidhet me këtë rast.
“Ne si institucion sot nuk mund t’i lejojmë vetes të flasim për gjëra të pavërtetuara dhe të gjykojmë për asnjë element të rastit. Por, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria do të ushtrohen të gjitha përgjegjësisë institucionale dhe do të zbardhet në detaje çdo gjë që lidhet me rastin, prej angazhimit të Ambasadës së Kosovës në Berlin, pritjes dhe vizitës mjekësore në aeroport e deri te stafi administrues në Qendrën e Studentëve. I bëj thirrje prokurorisë së shtetit që të vendosë në prioritetet hetimin e plotë të rastit”, ka thënë Vitia.
“Që nga mbrëmë kur e kam marrë lajmin, si Arben Vitia e kam menduar dorëheqjen. Edhe momentin kur po flas, si Arben Vitia, po e mendoj një gjë të tillë. Por po flas si ministër i Shëndetësisë që kam përgjegjësi shumëdimensionale, e një nga dimensionet do të jetë zbardhja e këtij rasti”, ka shtuar ai.