Edhe Ministria e Mjedisit kundër fishekzjarrëve, beson që leja e MPB-së nuk shkel ligjin
Për paralajmërimet për shumë fishekzjarrë në kampusin e Universitetit të Prishtinës, në kuadër të një koncerti të bankës Pro Credit, të shtunën ka reaguar edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo ministri ka thënë se po e përcjell më vëmendje reagimin e OJQ-ve mjedisore dhe palëve tjera të interesit.
MMPH thotë se parimisht është kundër çdo aktiviteti që si rezultat ka degradimin e mjedisit dhe ndotjen e ajrit, por është shprehur e bindur se gjatë dhënies së lejes nga Ministria e Punëve të brendshme janë zbatuar të gjitha kriteret sipas ligjit në fuqi.
“Dhënia e lejeve për përdorimin e fishekzjarrëve në Republikën e Kosovës është e rregulluar me Ligjin Nr. 04/L-022 PËR PËRDORIM CIVIL TË EKSPLOZIVËVE dhe kështu organ kompetent për dhënien e këtyre lejeve është Ministria e Punëve të Brendshme. MMPH beson që gjatë dhënies së lejes për përdorimin e këtyre fishekzjarrëve janë zbatuar të gjitha kriteret e kërkuara sipas këtij ligji, duke pasur në konsideratë edhe pasojat në mjedis”, thuhet në reagim të MMPH-së.