Edhe Moska del nga izolimi
Pas më shumë se dy muajsh, Rusia i ka lehtësuar të martën kufizimet kufitare dhe ka nxjerrë Moskën nga izolimi.
Këto masa ishin ndërmarrë për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit.
Sipas dekretit të kryeministrit Mikhail Mishustin, rusët, nga sot, lejohen të udhëtojnë jashtë vendit për t’u kujdesur për të afërmit e sëmurë, për punë, për shkollim ose për trajtim mjekësor.
Të huajt po ashtu mund të hyjnë në Rusi për t’u kujdesur për të afërmit ose për të marrë trajtim mjekësor.
Banorëve të Moskës, qytetit më të goditur nga pandemia e koronavirusit në Rusi, nuk do t’iu kërkohet më leje e posaçme për të udhëtuar nëpër qytet.
“Regjimi i vetizolimit hiqet”, tha kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin.
Me këta hapa, Moska i bashkohet listës së gjatë të vendeve në Evropë, që kanë shfuqizuar urdhrat e qëndrimit në shtëpi./rel/