Edhe NBA-ja studion mundësinë e ndeshjeve pa tifozë
Dyer të mbyllura, ndeshje vetëm në qytetet ku nuk ka të prekur nga Coronavirus, apo edhe ndërprerje të sezonit. Janë të shumtë skenarët që NBA do të diskutojë në dy ditët e ardhshme.
Sipas ESPN, drejtuesit më të lartë dhe pronarët e skuadrave do të vendosin se si do të përballojnë emergjencën që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur të bëhet serioze me më shumë se 1 mijë të prekur dhe 30 të vdekur në 39 shtete.
Komisioneri i NBA-s, Adam Silver ka parashikuar një sërë video-konferenca me pronarët e 30 skuadrave. Vendimet do të diskutohen me shoqatën e basketbollistëve. Ndeshjet pa tifozë nuk i pëlqen askush, pasi kjo masë do të shoqërohej me një faturë financiare, të llogaritur me një humbje nga 3.5 deri në 4 milion dollarë për çdo sfidë. Ndërkohë vetë skuadrat kanë nisur të mbrohen, duke vendosur një sërë masash të brendshme. Kështu, dhomat e zhveshjes qëndrojnë të mbyllura, intervistat bëhen në një distancë jo më afër se 180 cm, nuk lejohen takimet me tifozët dhe dhënia e autografeve.