Edhe në Euroleague tifozët serb shpalosin flamurin provokues ndaj Kosovës
Mbrëmë u zhvillua përballja mes Olimpia Milanos dhe Crvena Zvezdas në Euroleague në basketboll, ku fitorja i takoi klubit italian.
Olimpia Milano e mposhti Crvena Zvezdan me rezultat 74:68, ndeshje kjo e cila ishte e vlefshme për xhiron e 23 të kësaj gare.
Ndërkaq, në këtë përballje që u zhvillua në Milano, në palestrën sportive “Mediolanum Forum”, nuk munguan provokimet drejt Kosovës nga tifozët e klubit serb.
Sikurse në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, ku u shfaq një flamur me Kosovën si pjesë të Serbisë në zhveshtoren e Serbisë, edhe në duelin e zhvilluar mbrëmë në Milano nuk mungoi ky flamur.
Në një foto të shpërndarë në “Twitter”, shihen tifozët serb duke e mbajtur flamurin me hartën e Kosovës dhe Serbinë në të.
Rreth këtij rasti ka reaguar tani eksperti i sigurisë së Kosovës, Agim Musliu, i cili kërkoi vëmendje nga FIBA për provokimin që bënë mbrëmë serbët dhe rusët ndaj Kosovës.
“FIBA ky është një provokim serb dhe rus ndaj Kosovës, dhe ndaj rregullave të lojës së ndershme, ndaj tolerancës dhe demokracisë! Duke e lejuar këtë flamur në ndeshjet zyrtare të FIBA-s, ju po promovoni qëllimet e tyre! Ndalojeni këtë gjë!”, shkruante Musliu në faqen zyrtare të tij në “Twitter”.
@FIBA this is #Serbian and #Russian provocation against #Kosovo and the rule of fair play, against tolerance and democracy! Allowing this #flag in #FIBA official matches, you are promoting their ambitions! ? Stop that! pic.twitter.com/unQ3sKivP5
— Agim Musliu (@agim_musliu) February 3, 2023