Edhe në Kosovë shënohet Dita e Bashkimit të Gjermanisë
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shënuar të enjten Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.
Ambasadori Christian Heldt ka pritur liderë institucionalë e politikë, njerëz nga arti e kultura, biznesi e shoqëria civile për të shënuar këtë ngjarje të cilën e ka konsideruar si shumë të rëndësishme për Gjermaninë.
Në fjalën e tij, ambasadori gjerman, ka thënë se ky vit shënon 30-vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, të cilin e ka quajtur një prej momenteve më të gëzueshme në historinë gjermane.
Më tutje, ambasadori Heldt ka folur edhe për angazhimin e gjermanëve në Kosovë. Sipas tij, Gjermania vazhdon të punojë me ngulm përkrah Kosovës. Duke kujtuar një prej ngjarjeve më të mëdha të Gjermanisë, rrëzimin e Murit të Berlinit, ambasadori Heldt ka thënë se këtë përvjetor do ta shënojnë me një sërë aktivitetesh përcjellëse edhe në Kosovë.