Edhe në qeverisjen e Kurtit, Kosova e 83-ta në luftën kundër korrupsionit

30 janar 2024 | 22:46

Njësoj si një vit më parë, për Kosovën në raportin e indeksit për perceptim të korrupsionit është dhënë vlerësimi i njëjtë, me 41 pikë.

Ndërkohë, në ranglistën botërore zë vendin e 83-ta.

Megjithatë, sa i përket luftës kundër korrupsionit, Kosova qëndron më mirë se Shqipëria, Serbia e Bosnjë-Hercegovina, ndërkohë që para saj janë Mali i Zi e Maqedonia e Veriut.

Gjithashtu, pavarësisht prej përpjekjeve të vazhdueshme, është vlerësuar se reformat që janë kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit, janë duke lëvizur me ritëm shumë të ngadalshëm.

Në indeksin e Transparency International radhiten çdo vit 180 shtete dhe territore të botës, në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

Sipas këtij indeksi, Shqipëria është vlerësuar me 37 pikë, Serbia me 36, Mali i Zi me 46 dhe Maqedonia e Veriut me 42 pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Serbia po shqyrton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, tha…