Edhe në raste mortore veprimtarët nga Lugina e Preshevës janë të diskriminuar

20 prill 2019 | 12:36

Nga: Bardhyl Mahmuti

Në këtë shkrim të shkurtër po evokoj kujtime për dy veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare nga Lugina e Preshevës dhe bashkëthemelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Halil Selimin dhe Adnan Asllanin.

Me Halil Selimin nga Ilinca e Preshevës u takuam në “Burgun Zabela” të Pozharevacit dhe vazhduam aktivitetin edhe pas daljes nga burgu.

Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Pozharevacit Halil Selimit i vdiq nëna. Duke e konsideruar si armik të shtetit jugosllav, Halil Selimin nuk e lejuan që të merr pjesë në ceremoninë e varrimit për t’i thënë lamtumirë njeriut që e solli në këtë botë.

Pas vuajtjes së dënimit nëpër disa burgje të Serbisë, pas disa arrestimeve dhe torturave që përjetoi gjatë procesit të hetuesisë dhe i rrezikuar të arrestohej sërish në vitin 1993, Halil Selimi, njëri nga udhëheqësit e LPK-së, u largua nga vendlindja dhe u vendos në Shqipëri.

Halil Selimi vazhdoi veprimtarinë atdhetare dhe gjatë luftërave çlirimtare në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës ai ka pasur rol të rëndësishëm dhe ka dhënë kontribut të madh.

Pas çlirimit të Kosovës Halil Selimi u vendos me familjen e tij në Prishtinë, sepse nuk mund të kthehej në Preshevë për shkak të përndjekjes nga shteti i Serbisë.

Në pamundësi që Halili të vizitonte babanë dhe familjarë të tjerë në Preshevë, Platori, djali i Halilit, i cili në kohën kur u larguan nga vendlindja kishte gjashtë muaj, mori funksionin e ndërlidhjes së Halilit me babanë e tij. Ishin Platori, Elira dhe Rezona tre fëmijët e Halilit ata që vizitonin gjyshin Sulejman në Preshevë, sa për t’ia hequr mallin.

Më 25 shkurt 2017 vdiq Sulejman Selimi, babai i Halil Selimit.
Dhembja për vdekjen e njerëzve të dashur është dhembje universale njerëzore që shoqërohet me një sërë ceremonish, që përfshinë tërësinë e veprimeve nga përgatitja për varrim, varrimi, hapja e Pamjes ku familjarët presin për ngushëllime e deri te mbyllja e pamjes.

Kësaj radhe Halil Selimi nuk kishte të drejtë t’i jepte lamtumirën e fundit babait. Platori, Elira, Rezona dhe bashkëshortja e Halilit, Nexhmie Gashi Selimi ishin në ceremonitë mortore. Rezona lexoi fjalën e Halilit, por mungesa e tij e bën edhe më të rëndë dhembjen.

Veprimtari i dytë për të cilën desha të shkruaj është Adnan Asllani, nga Strezoci i Preshevës. Pas fushatës së arrestimeve që pushteti kishte ndërmarrë në vitin 1993 kundër radhëve të LPK-së, Adnan Asllani dhe bashkëthemelues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si Halil Selimi dhe Ramadan Avdiu u vendosën përkohësisht në Shqipëri.

Të ngarkuar për riorganizimin e strukturave politike të LPK-së, Adnan Asllani dhe Halil Selimi u futën disa herë fshehurazi në Kosovë dhe viset tjera shqiptare që kishin mbetur nën republikat e Jugosllavisë së dikurshme. Pas gati një viti aktiviteti të kësaj natyre, Adnan Asllani emigroi në Zvicër dhe u angazhua në Degën e LPK-së.

Meqenëse qëllimi i shkrimit nuk është të bëhet biografia e veprimtarisë së këtyre veprimtarëve të çështjes kombëtare, do të kufizohem vetëm në një çështje.

Në momentet më të rëndësishme të luftës çlirimtare në Kosovë Adnan Asllani ishte redaktor i gazetës “Zëri i Kosovës”, gazetë që tërë aktivitetin e vet e kishte përqendruar në mbështetjen politike të UÇK-së. Për ata që nuk e dinë të vërtetën, Adnan Asllani është veprimtari që dizajnoi emblemën e UÇK-së.

Më 6 dhjetor 2003 vdiq Hashim Asllani, babai i Adnan Asllanit. Për shkak të rrezikut që i kanosej nga pushtuesi serb, Adnan Asllani nuk mundi të merr pjesë në varrimin e babait të vet.
Para dy ditësh, më 18 prill 2019 vdiq Hamdije Asllani, nëna e Adnan Asllanit. Edhe kësaj radhe Adnan Asllani nuk mund të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit të qenies që e solli në këtë botë.

Vlora Kamberi Asllani, bashkëshortja e Adnanit, dhe Adriani, djali i Adnanit, udhëtuan për t’i dhënë lamtumirën e fundit Hamdije Asllanit. Madje edhe në emër të Adnan Asllanit. Megjithatë ceremoninë e një vdekje të natyrshme e rëndon mungesa e madhe e lamtumirës së fundit të Adnanit. Edhe në raste mortore veprimtarët nga Lugina e Preshevës janë të diskriminuar.

Halili, Platori dhe Sulejman Selimi​​            Hamdije dhe Adnan Asllani

P.S.
Në shkrimin tim nuk kam përmendur rastet kur është rrezikuar dhe fshehurazi kanë hy në vendlindje.
Bardhyl Mahmuti

Të bashkangjitur keni letrat që u lexuan në dy ceremonitë mortore.

***

Përshëndetje lamtumirëse për Ty, Baba Sylë

Më fal Baba Sylë që të lash vetëm edhe në çastin e fundit e nuk të erdha dot as për një grusht dhe lamtumirës!

Shumë rrugë të vështirë, por edhe krenare kemi bërë bashkë, prindi, frymëzuesi dhe bashkëveprimtari im, Baba Sylë!

Kemi arritur kokëlartë deri këtu, duke sfiduar kohët e liga dhe të gjitha pasojat e një robërie që nuk na nënshtroi kurrë!

Kemi akoma shumë punë për të bërë, në rrugën tonë të Lirisë, babai im! Por, shumë më shumë kemi kaluar, sesa kemi për të bërë deri tek fundi i vuajtjes nën pushtim dhe dita e Madhe e Lirisë, përfundimisht! Kur edhe Presheva të quhet dhe të bëhet Kosovë e çliruar, aty ku edhe ti prehesh i qetë, përjetësisht!

Ti mbylle kapitullin tënd sot, dhe në mënyrën më të mirë të mundshme, babai im! Arrite ta përjetosh lirinë e Kosovës dhe na e le për borxh, neve, të vazhdojmë kokëlartë rrugëtimin, akoma të vështirë, deri sa aspirata e lirisë të bëhet realitet edhe në Luginë!!

Prehu i qetë në këtë tokë plotë plagë e dhembje, por të shenjtë, për të cilën kurrë s’u lodhe të kultivosh shpresën e shpirtit liridashës, deri në pavdekësi! Vdekjen tënde nuk e besoj, sepse ti jeton në gjakun tonë, përderisa edhe neve na bën të jetojmë!

Do jetë i përjetshëm kujtimi për ty, Baba Sylë!
Lavdi jetës dhe veprës tënde, i pavdekshmi, Prindi im!
Me respekt përuljeje dhe krenari e mburrje për Ty,

Biri yt, Halili
Prishtinë, 26 shkurt 2017

***

E dashura nëna ime e shtrenjtë!

Sot nuk mund të isha pranë teje për të ta dhënë lamtumirën e fundit!

Si askush tjetër ti i kupton arsyet e mosardhjes sime në këtë ditë të lamtumirës.

Ti i ke vuajtur më shumë se kushdo tjetër të gjitha sfidat që na kanë dalë përballë e zemra jote ka qenë e lënduar shumë herë nga po ata njerëz që sot e pengojnë ardhjen time në vendlindje, aty ku ti më ke sjellë në jetë, aty ku ti më ke rritur e ku më ke mësuar gjuhën tënde të bukur.

E di, ti nuk kishe ndonjë dëshirë më të madhe se të vinte dita që unë të vija në vendlindje, ndonëse gjeje fjalët më të mira të më ngushëlloje për këtë!

Ti më shumë se askush tjetër e ke kuptuar arsyen e largimit tim nga vendlindja dhe këtë padrejtësi të thellë e ke ndjerë në shpirt e ke mallkuar ato hije të natës që do të donin që as ti të mos ishe aty.

Por ti qëndrove, e sot po i bashkohesh radhës së të parëve tanë për të stolisur kujtimet e secilit që kalon asaj pjese.

Ti sot po e stolis vendlindjen time Strezocën sikur kur qëndiset cepi fundit të krahut të shqipes.

Se ai vend, edhe për dëshirën tënde, edhe për dëshirën e njerëzve që jetojnë aty, por edhe për inat të atyre që e duan të zbrazet, Strezoca jonë e bukur, një ditë të afërme do të bëhet e lirë.

Kjo ka qenë dëshira jote më e madhe. Se kjo ka qenë dhe është dëshirë e të gjitha nënave që i duan bijtë ti kenë pranë e të gëzuar!

Nëna ime e dashur,

Do të doja në këtë ditë të jem pranë teje e ti them ca fjalë të fundit që më burojnë nga thellësia e zemrës.

Do të doja të të thoja se ti ke qenë një nënë e dashur dhe e jashtëzakonshme për mua.

Një nënë që edhe atëherë kur jeta ime të ka lënduar shumë, ti ke gjetur forcën dhe e ke përballuar të gjitha.

Do të doja që sot të të thoja se, ti nëna ime e dashur, ke qenë dhe je motiv i jetës sime.

Lamtumirë nëna ime e dashur!
Të faleminderit për gjithçka që ke bërë për mua!
Të faleminderit që më solle në jetë, më rrite, më edukove e më bëre ky që jam!
Lamtumirë e mi bëj hallall të gjitha!
Lamtumirë!

Zvicër, më 19 prill 2019

Adnan Asllani

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë Naim Rasim Gashi, zyrtarë i lartë i…