Edhe në rigjykim, lirohen nga akuzat për korrupsion dy zyrtarët komunalë të Drenasit
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Xhafer Ramajt dhe Shefqet Morinës, të cilët akuzoheshin se në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Drenasit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Këtë e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i Ramajt, avokati Ramë Dreshaj dhe mbrojtësja e Morinës, avokatja Hedije Ademi.
Dy avokatët konfirmuan se klientët e tyre u liruan nga akuza në mungesë të provave dhe se aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësja e rastit Sulltane Hoti, e cila ka njoftuar se kundër këtij aktgjykimi lejohet ankesa në afat prej 30 ditësh.
Ndryshe, edhe në gjykimin e parë, më 9 tetor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Ramaj dhe Morina.
Por, Gjykata e Apelit më 21 shkurt 2024 aprovoi si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe anuloi aktgjykimin e shkallës së parë, duke kthyer çështjen në rigjykim dhe vendosje.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 gusht 2020, i pandehuri Xhafer Ramaj, në pozitën shef i sektorit të Gjeodezisë dhe i pandehuri Shefqet Morina, në pozitë të shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar, e kanë tejkaluar kompetencat e tyre.
Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2010 e deri në vitin 2018, në vazhdimësi, me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë apo livadh në tokë ndërtimore, nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore.
Tutje, thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të pandehurit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në 16 zona kadastrale, në Komunë të Drenasit, ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Kortoicë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Gllogoc, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe të përgjithshme prej 25.55.51 hektarë.
Sipas Prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është bërë kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231 mijë e 689 euro.