Edhe në Zveçan e Zubin Potok mblidhen nënshkrimet e nevojshme për shkarkimin e kryetarëve
Përveç në Mitrovicë të Veriut e Leposaviq edhe në Komunën e Zveçanit e të Zubin Potokut është arritur numri i nevojshëm i nënshkrimeve që hap rrugën për fillimin e procesit të shkarkimit të kryetarëve, Ilir Peci e Izmir Zeqiri.
Iniciuesi i peticionit për shkarkimin e kryetarit Peci, Darko Vuksanoviç, ka bërë të ditur se numri i nevojshëm i nënshkrimeve është siguruar që në ditën e parë kur edhe ka nisur ky proces.
“Peticioni nisi në orën 9:00 të mëngjesit të premten dhe përfundoj në orën 4:00 pasdite. Ne mblodhëm më shumë nënshkrime se ç’duhej”, ka njoftuar Vuksanoviç.
Vuksanoviç ndërsa ka falënderuar të gjithë qytetarët për gatishmërinë e tyre, ka njoftuar se hapat e mëtejme për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zveçanit do të nisin ditën e hënë.
Se numri i nevojshëm për shkarkimin e Izmir Zeqirit është arritur brenda pak orëve e ka konfirmuar, Srgjan Vuçiniç, iniciuesi i peticionit.
Nënshkrimet kanë tejkaluar 20 përqindëshin e nevojshme të votuesve të regjistruar edhe në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit.
Kryetari aktual i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, dhe i Zveçanit, Ilir Peci do të vazhdojnë të jenë kryetarë komunash, derisa të përfundojë e gjithë procedura e largimit të tyre përmes peticionit.
Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës po mbahet në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në Veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.
Pas përfundimit të Peticionit, sipas Udhëzimit Administrativ, procedura duhet të vazhdojë me procedimin e rezultateve në Komisionin Qendror Zgjedhor i cili do të verifikojë nënshkrimet.
Nëse gjithçka është në rregull atëherë pritet të caktohet datë e zgjedhjeve nga KQZ.
Banorët e këtyre komunave pas caktimit të datës së zgjedhjeve do të dalin të votojnë për largimin e kryetarëve aktual.
Nëse votojnë mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, atëherë procesi është i legjitimuar dhe kryetarët duhet të largohen nga pozitat e tyre, duke hapur rrugë një tjetër procesi zgjedhor – atë të zgjedhjes së kryetarit të ri.