Edhe nga burgu, kandidat për president
Ish-presidenti i Brazilit, Lula da Silva, do të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale të tetorit të këtij viti.
Pavarësisht se aktualisht 71-vjeçari ndodhet në burg, ku sapo ka filluar të vuajë një dënim prej 12 vitesh heqje lirie, për shkak të disa akuzave për korrupsion, Partia e Punëtorëve në Brazil ka konfirmuar se do të jetë pikërisht Lula da Silva kandidati i saj për zgjedhjet presidenciale.
Kryesia e partisë së Punëtorëve në Brazil ka konfirmuar edhe njëherë qëndrimin e saj se Lula nuk ndodhet në burg se është fajtor, por sepse është një kandidat shumë i fortë dhe rivalët ia kanë frikë.
Lula Da Silva u bë president i Brazilit në janar të 2003-s dhe drejtoi vendin deri në 2011-n, duke u mbajtur mend si presidenti që bëri një sërë reformash ekonomike dhe nxori nga varfëria ekstreme miliona brazilianë.