Edhe një aktakuzë ndaj Nagip Krasniqit, bashkë me dy persona tjerë dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 37 milionë euro
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të re ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, dhe dy personave tjerë me inicialet Y.D. dhe I.Z.
Në njoftim e kësaj prokurorie është thënë se të pandehur gjatë periudhës kohore 2021-2023 i kanë shkaktuar dëm buxhetit në vlerë prej 37 milionë euro.
“Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milionë euro duke kryer veprat penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe Ndihmë në Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Ky rast tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.
Në gusht Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën e parë ndaj Krasniqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Sipas aktakuzës i pandehuri N.K. duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023,në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare përcaktuar me nenin 414 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, ishte thënë në njoftimin e Prokurorisë për ngritjen e aktakuzës.