Edhe një dorëheqje në Nisma, largohet themeluesi i saj në Kamenicë
Një prej themeluesve të degës së Nismës Socialdemokrate në Kamenicë, anëtari Këshillit të Kombëtar të saj, Xhevat Klaiqi ka dhënë sot dorëheqje nga kjo parti.
Edhe largimi i tij po bëhet pas dorëheqjes së ish-ministrit Bajram Hasani nga kjo parti.
Ai nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka dhënë arsyet e dorëheqjes duke e përmendur si arsye kryesore dorëheqjen e Bajram Hasanit.
Klaiqi ka thënë se dega e Kamenicës dhe tërë Nisma në Anamoravë po shkatërrohet nga indiferenca e drejtuesve të saj.
“Si njëri prej themeluesve të kësaj partie në Kamenicë them se pa ish ministrin Bajram Hasani, kjo parti nuk ka jetë në Anamoravë. Ai na përkrahu dhe na ndihmoi që të konsolidojmë degën e Nismës. Përkrahja e ish-ministrit Hasani dhe puna jonë e përbashkët ka bërë që ne të përfaqësohemi edhe në Kuvendin Komunal. Por ky duket të jetë fundi i saj në këtë qytet”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Sipas tij, Nisma në Anamoravë është shkatërruar nga vet drejtuesit e saj.
“Largimi i Bajram Hasanit ka qenë thikë pas shpine për të gjithë rajonin tonë sepse jeni mësuar që vetëm të vini të merrni vota dhe më pas ta harroni se edhe lindja është pjesë e Kosovës dhe duhen investime”, ka shtuar Klaiqi.