Edhe një fitore e Kastriotit për suksesin historik
Ferizajt e ka fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj Tallinnit të Estonisë dhe me dy fitore ka kaluar rrethin e dytë të Kupës Sfiduese (Challenge Cup).
Ndeshja e dytë, përkatësisht e kthimit, u zhvillua të dielen mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Kastrioti fitoi me një gol diferencë, 26:25. Ndeshjen e parë e kishte fituar me rezultat 25:22. Edhe ndeshja e parë ishte luajtur në Ferizaj, të shtunën (dje).
Kjo është hera e parë që Kastrioti kalon kundërshtar në Kupa Evropiane. Madje deri të shtunën nuk kishte as fitore, ndonëse kishte luajtur 16 ndeshje gjatë tetë edicioneve. Por fitoret e këtij vikendi dhe kalimi në rrethin e tretë vijnë si rezultat i riorganizimit të madh që është bërë në klubin me traditë nga Ferizaj.
Edhe ndeshja e dieles ishte shumë e fortë. U shfaq hendboll cilësor dhe vazhdimisht kishte duele të fuqishme.
Lojtarët e Kastriotit patën përkrahje të madhe nga tifozët, ndërsa atmosferë impozante u krijua në palestër falë pranisë së afro 1500 shikuesve. Ferizajasit dëshmuan se janë adhurues të hendbollit, ndërsa për ndeshjet tjera shpresohet në numër edhe më të madh tifozësh dhe pse jo që palestra të jetë e mbushur plot.
Lulzim Shabani me shtatë gola ishte më efikasi te Kastrioti. Ai realizoi në të gjitha tentimet që kishte. Pesë herë shënoi Deniz Terziqi, kurse nga katër gola shënuan Petrit Prekazi e Pece Rajatoski. Por ishte portiere Kiril Kolev që shkëlqeu edhe të dielen dhe që ndali shumë gjuajtje të lojtarëve estonez. Uku-Tanel Laast shënoi shtatë herë për Tallinnin.
Në xhiron e tretë të Kupës Sfiduese, Kastrioti takohet me skuadrën belge Vise. Ndeshjet luhen muajin tjetër.