Edhe një herë një kujtesë mbi vlerat e UÇK-së dhe të luftës që mbarti ajo (14)
Shkruan: Kudusi Lama
Akuzat që bën raporti i Dick Martyt, pa farë dhembjeje dhe pa farë ndjenje humanizmi, duke tentuar ta bëjë viktimën kriminel dhe kriminelin viktimë, me një rrëmbim të përshpejtuar, nuk mund të ketë emër tjetër veçse ultrashovinizëm. Në atë raport dallohet qartë se tentativa për ta kriminalizuar UÇK-në dhe luftën e saj është montuar në Beograd, por pse nuk arrijnë ta kuptojnë këtë parlamentarët evropian,ë këtë nuk arrij ta kuptoj. A nuk arrijnë të lexojnë deklarime të tilla si: “Zëvendësi i prokurorit të Serbisë, Bruno Vekariç, thotë se përfaqësuesit e prokurorisë serbe shumë herë janë takuar me Dick Martyn, me të cilin kanë shkëmbyer informacione. Nëse shikoni raportin, do të shihni se pjesa që ka lidhje me strukturën e organizimit të UÇK-së është pjesë e marrë nga raporti ynë që e kemi dërguar ne. Po ashtu, në raport ndodhen edhe pjesët që i kemi dhënë ne për dëshmitë lidhur me trafikimin e organeve njerëzore, si dhe për lidhjen e krimit të organizuar me qarqet politike”, pohon Vekariç.
Vetëm këtë deklarim po të marrësh në konsideratë kupton se cila është vlera e këtij raporti që tenton të vendosë në vend “drejtësinë”, që ngriti këtë Gjykatë Speciale e cila po na merr nën akuzë djemtë që na sollën lirinë, e që po gëzon serbët dhe disa shqiptarë gjakprishur. Por unë nuk pretendoj që t’i jap drejtësi Dick Martyt, pasi ai duket se kënaqësinë e vet e mbështet në gjetjen e të këqijave te të tjerët, edhe atje ku nuk ka, por pse në këtë kurth ka rënë një parlament e tërë i demokracisë evropiane, më duket vërtet absurditet, kur dihet prej të gjithëve se nënat, gratë, motrat dhe bijat shqiptare edhe sot vazhdojnë të vajtojnë në pritje të të dashurve të tyre, të grabitur e të zhdukur nga Serbia. Ndërsa zotëri Marty kërkon të gjejë ata që nuk kanë as emër, as adresë, as familje, as identitet, për të cilin nuk vajton askush, sepse nuk ekzistojnë, duke hedhur mënjanë mijëra shqiptarët e zhdukur sikur të ishin milingona, të cilat edhe ata duhen trajtuar me respekt se janë qenie të gjalla që shërbejnë për një mision të caktuar.
Prandaj edhe bashkohem me mendimin se: “…askush tjetër nuk i bën më shumë të vuajnë sot viktimat shqiptare sesa këto shpifje monstruoze të inskenuara nga Dick Marti e përkrahësit e tij…”.
Pasi di prej gjithë historisë dhe traditës sonë kulturore, se ai që të fyen të shkakton vuajtje më shumë se ai që të vret, pasi ai që të vret të shkakton dhembje një ditë, kurse ai që të fyen të shkakton dhembje çdo ditë. Nuk di nëse e kupton këtë zotëri Marty, që është vënë në një pozicion me serbët për t’i fyer dhe shpërdoruar shqiptarët? Por unë prapë tërhiqem, se gaboj kur mendoj për Dick Martyn si për një qytetar, pasi ai e ka treguar me veprën e tij se nuk ka farë lidhjeje me qytetarinë evropiane, se po të kishte nuk do të shitej në atë nivel sa të ishte i detyruar ta hidhte baltën e kriminelit mbi viktimën.
Por, megjithatë, unë u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, që të mos e humbasin shpresën në drejtësinë ndërkombëtare, se nuk është Dick Marty – Evropa, se edhe Evropa ka mbeturinat e saj që i hedh jashtë rast pas rasti, një ditë do ta kuptojë të vërtetën dhe do ta hedhë në koshin e plehrave Dick Martyn me gjithë raportin e tij, pasi shqiptarët do të vënë përballë Evropës ndershmërinë dhe transparencën, për të parë gjithçka siç ishte dhe është në të vërtetë.
Ndërsa atyre që gëzojnë kur shikojnë se po merren nën hetim nga Gjykata Speciale e luftëtarëve të lirisë, ju them mos pështyni mbi bukën që po hani se do ta helmoni veten. Djemtë dhe vashat e UÇK-së as i kanë bërë dëm kujt, as kanë kryer krime. Ata janë flamurtarët e lirisë. 22 qershori 1999 është dita e parë e lirisë së Kosovës. Ajo është dita e fundit kur duhet të kishte përfunduar lufta. Nuk di pse për politikë të ditës ka të tillë që e hedhin gëlbazën e tyre përtej 22 qershorit të vitit 1999.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka ardhur si një kërkesë e domosdoshmërisë së qenies shqiptare të rrezikuar në disa nga trevat e pushtuara nga sallavoserbia në tridhjetë vjetët e fundit të shekullit 19 dhe në njëzetë vjetët e para të shekullit 20. Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori mbi vete përgjegjësitë më të mëdha kombëtare në dekadën e fundit të shekullit 20, për të vendosur drejtësi në këtë pjesë të tokave shqiptare. Me veprën e saj luftarake kundër Serbisë (realisht Jugosllavisë së mbetur – Serbi e Mali i Zi), Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë figura më e madhe kombëtare me përmasat e së cilës u evidentua kombi shqiptar në tërësi dhe synimet e tij për të ardhmen.
Dihet se në Kosovë është luftuar vazhdimisht. Luftëtarët shqiptarë nëpër kohë e kanë tronditur pandërprerë pushtuesin, në gjithë rrjedhën historike të përleshjeve. Por më të freskëta janë luftërat shqiptare kundër pushtimeve serbe e jugosllave, të cilat kanë dhënë dëshmi të vazhdueshme për synimet shqiptare për lirinë kombëtare. Duke marrë në evidencë ecurinë e jetës kombëtare në trevat e pushtuara, shihet qartë se asnjëherë këtu nuk ka pushuar lufta. Ky është treguesi se Ushtria Çlirimtare nuk ishte as një rastësi e as një aksident. Ajo ishte rrjedhë e normalitetit të zhvillimit kombëtar të mbetur nën pushtim, pa të cilin nuk mund të kishte ardhmëri për shqiptarët. Çdo mendim dhe deklarim ndryshe është abuzim e keqdashje dhe, megjithëse shumëkush nuk ka dëshirë ta dëgjojë sot fjalën armik, unë them se ndaj çdo mendimi a deklarimi kundër UÇK-së duhet të jemi shumë vigjilentë dhe t’i vëmë emrin që i takon – kundërshqiptarizëm dhe armiqësi e hapur kundërshqiptare, që gjithnjë burimin e ka në Beograd dhe Athinë, pavarësisht se prej ku legalizohet, qoftë edhe si në rastin e raportit të Dick Martyt, që mori autorësinë dhe autoritetin e Parlamentit të Evropës dhe u implementua me këtë Gjykatën Speciale ndërkombëtare për t’i maltretuar luftëtarët e UÇK-së.
Pushtimi gjithnjë prodhon luftë për liri. Fatkeqësia qëndron në faktin që pushtuesit nuk kanë dëshirë ta mbajnë parasysh këtë të vërtetë. Ata mendojnë se meqë e kanë pushtuar një komb, duhet të kenë edhe qetësi e duhet që të pushtuarit të rrinë urtë. Por kjo nuk ndodh kurrë e kjo nuk ka ndodhur as në Kosovë. Nën pushtim nuk mund të ketë urtësi, përveç popujve e kombeve që kanë tendencë të shpërbëhen e të zhduken në histori. E kjo nuk mund të ndodhte as nuk do të ndodhë ndër shqiptarët, të cilët, megjithëse me luftë, e kanë sjellë kombin e tyre prej lashtësie deri në kohët moderne, janë të gatshëm që nëse u diktohet, ta bëjnë të njëjtën gjë edhe në të ardhmen, por kurrë mos të lejojnë e pranojnë asimilimin dhe zhdukjen për interesat e armiqve.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës erdhi në rrugën kombëtare si një ushtri e re, e cila me forcën goditëse do të arrinte të realizonte aspiratat për të cilat kanë luftuar breza të tërë. Ajo, duke iu përgjigjur thirrjeve të kohës, arriti t’i krijojë vetes një emër të madh, që përmblidhte në vetvete dëshirat kombëtare shqiptare, ambiciet e popullit shqiptar, aspiratat drejt së ardhmes kombëtare, e cila me veprimtarinë politike, ushtarake, kulturore, humanitare, miqësore dhe me besnikërinë e shfaqur, ka dhënë shembullin më të mirë para historisë botërore. Por, jo rrallë të gjitha këto janë kthyer në të kundërtën e asaj dëshire të mirë, për një jetë normale dhe për një ecuri dinjitoze. Kjo realisht po ndodh edhe sot, kur në vend që të akuzojë, akuzohet. Dhe akuzohet pikërisht pse nuk ka bërë ato për të cilat ngrihen akuzat.
Djemtë e Kosovës, me gjithë shtypjen, represionin, shfarosjen e shpërnguljen, asnjëherë nuk pushuan së menduari e së punuari për të organizuar atë forcë të armatosur, që do t’i duhej atdheut në një kohë të caktuar, kur pushtuesit do të tentonin asgjësimin e plotë të tij.
Mjaft prej këtyre djemve u kapën, u burgosën, u vranë, u zhdukën, e ka edhe prej atyre që edhe sot e kësaj dite nuk dihet se janë apo nuk janë gjallë, për të cilët “kujdesen” Dick Marty dhe Gjykata Speciale e krimeve të luftës së UÇK-së, veçse ua kanë vënë emrat serbë, si dhe i kanë lënë pa adresë, pa familje, pa ditë të lindjes e vend të lindjes etj.
Por, me gjithë këtë gjenocid të paparë, me gjithë këtë frymë fashiste të serbëve, djemtë e Kosovës nuk u ndalën, nuk u trembën dhe nuk u ulën. Ata ecën rrugës së lirisë. Pra, edhe në këtë situatë, në asnjë çast luftëtarët e lirisë nuk pushuan së përgatituri për të dalë në fushën e mejdanit, prej ku do të merrte vlerë jeta, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Natyrisht, kjo erdhi duke derdhur gjak, duke sakrifikuar jetët, por fitorja ishte e domosdoshme.
U pa në tërë praktikën politike të Kosovës, se ishte e pamundshme të arrihej zgjidhje për t’i realizuar aspiratat kombëtare të lirisë dhe pavarësisë. Me gjithë përpjekjet për mirëkuptim me Serbinë, Kosova nuk arriti ta shohë hisen e diellit të saj. Gjithë përpjekjet politike për të arritur paqe dhe stabilitet, nga serbët e jugosllavët, e pse jo edhe nga fuqitë evropiane, u vlerësuan si një vetënënshtrim dhe si një dëshirë për t’u sunduar. Ata nuk u panë në asnjë rast si elementë të qytetarisë së kohës moderne.
Nisur nga kjo gjendje dhe nga këto mendësi, ishte e pakuptueshme pritja. Po të niseshe në të gjitha drejtimet në kërkim të lirisë dhe të pavarësisë, rruga do të nxirrte në një pikë te lufta e armatosur pa kompromis, pa mëdyshje, edhe për ta fituar lirinë dhe për të shpëtuar një komb nga asimilimi. (Vijon)