Edhe një herë pse duhet pezulluar taksën prej 100%
Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se nuk është i saktë argumenti se diplomatët e huaj i bëjnë presion vetëm Kosovës për taksën, ndërkaq mungon presioni ndaj Serbisë.
“Diplomatët e SHBA-ve dhe të Gjermanisë, po edhe top diplomatët nga BE-ja, i bëjnë presione edhe Serbisë që ta njeh pavarësinë e Kosovës duke theksuar se ky është kusht për integrimin e saj në BE. Por, diplomacia perëndimore njohjen e Kosovës nga Beogradi e sheh si pjesë të vazhdimit të dialogut që duhet të përfundojë shpejt me një marrëveshje pajtimi dhe njohje të ndërsjelle ndërshtetėrore Kosovë – Serbi”, ka shkruar Maliqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se dialogu është proces brenda të cilit duhet të prodhohen marrëveshjet obligative mes dy palëve që eliminojnë arsyet për taksën që ka vendosur Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia.
Ndërkaq, sipas tij Qeveria e Serbisë e shfrytëzon taksën, përkatësisht kërkon heqjen e saj si kusht për vazhdimin e dialogut, duke e mbajtur atë të bllokuar.
“Andaj, presionet e diplomatëve për pezullimin e taksës dhe debllokimin e dialogut nuk janë të njëanshme por godasin edhe Kosovën edhe Serbinë me imperativin e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë. Pezullimi i taksës pezullon edhe bllokadën serbe të dialogut dhe marrëveshjes që, nëse do të arrihet, sjell njohjen e Kosoves nga Serbia”, ka deklaruar Maliqi.
/Epoka e re/