Edhe një i arratisur nga burgjet e Kosovës
07 gusht 2024
| 12:40
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka njoftuar se paraditen e së mërkurës i burgosuri L.Xh. është arratisur nga reparti i Hematologjisë në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar.
Sipas njoftimit të ShKK-së, i arratisuri, L.Xh. është i akuzuar për veprën penale “fajde”. Ai ishte arrestuar më 19 korrik në Prishtinë.
Hetimet se si ka ndodhur rasti kanë nisur, ndërsa ShKK-ja ka pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues.
Gjatë korrikut pati dy arratisje nga burgjet e Kosovës. Fillimisht u arratis Faton Hajrizi, që dyshohet se është vrarë në Serbi, nga burgu i Smrekonicës dhe Ujkan Metaj nga burgu i Dubravës, i cili u arrestua pas pak ditëve.