Kjo është bërë me dije nga vetë Limani, nëpërmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka treguar se është ftuar nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar.
Në këtë postim, Limani është shprehur i zhgënjyer nga kjo Gjykatë, pasi ajo nuk po merret me krimet e serbëve ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Postimi i plotë i Limanit:
“Me këtë rast, dua të falenderoj të gjithë ata, të cilët nocionit drejtësi, i humbën çdo vlerë, e sollën në një gjendje të tillë, e cila do tu shërbente si alibi ” miqëve” të Kosovës për të formuar një gjykatë të tillë një etnike, në të cilën nuk do të gjykohet asnje serb, pavarësisht krimeve të bëra në vendin tonë.
Indiferenca shumëvjeqare e institucioneve tona karshi krimeve serbe, ka shërbyer si motiv i mjaftueshëm për formimin e kësaj gjykate diskriminuese kundërshqiptare.
Gjate 20 viteve, Serbia në vazhdimësi fabrikoi gënjeshtra, kurse organet tona nuk arritën të dokumentonin krimet e luftës. Heshtja institucionale (vendore dhe ndërkombëtare) ishte mënyra më e mirë për mbulimin e krimeve serbe. Prandaj jo rastësisht serbët nga kriminel u kthyen në viktima.
Bartësit e institucioneve tona, në vend që të formonin organe kompetente për të mbledhur fakte dhe dëshmi për krimet serbe, ata kryesisht u morën me pasurimin e tyre.
Maksima ”ra kau shpëtoi shkau” i përgjigjet më së miri sjelljes së papërgjegjshme të institucioneve tona.
Klasa jonë politike temën e krimeve serbe e aktualizonte sa herë kur kjo i shërbente për interes personal apo grupor, por asnjëherë nuk e trajtuan me seriozitetin e domosdoshëm institucional, trajtim i cili do tu sillte drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre.
Historia më e re e Kosovës padyshim se do të shënojë në analet e saj një fenomen, me gjasë të paparë më parë, fenomenin sesi indiferenca e viktimës ndikon në shfajsimin gradual të kriminelit dhe me këtë suksesshëm bënë ndërrimin e pozicioneve mes viktimës dhe kriminelit.
Nuk do të ndjehesha mirë, nëse në fund të këtij njoftimi nuk do të falenderoja ata të cilët e kurorëzuan këtë gjykatë, deputetët e Republikës së Kosovës dhe sponzorizuesit e tyre. Emrat e tyre padyshim do të skaliten me shkronja të ”arta” në analet e historisë dhe drejtësisë së Kosovës.
Me respekt,
Agron Limani”