Edhe një infermiere e Klinikës Infektive, pozitive me COVID
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare (QKUK) sot janë të shtrirë gjithsej 60 pacientë. Prej tyre, me COVID 19 janë gjithsej 44 raste, ndërsa klinika është në pritje të rezultateve për 6 raste, kurse 10 raste kanë rezultuar negativë me COVID.
Sa i përket gjendjes së pacientëve të sëmurë me Covid është si vijon:
44 raste të infektuar me COVID, 35 raste janë në gjendje stabile, 8 raste kanë nevojë për oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Një paciente në Kujdesin Intensiv, e pranuar më 25 mars, vazhdon të jetë në gjendje të rendë dhe është në ventilim mekanik.
Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, e testuar pozitiv me COVID është edhe një infermiere e cila ka qenë në kontakt me tri infermieret e tjera të cilat kanë dalë pozitiv me COVID. Të katër infermieret e infektuara janë në gjendje të mirë shëndetësore, prej të cilave tri janë të spitalizuara në klinikë, ndërsa njëra është vetizoluar në shtëpi.