Edhe një javë deri në mbylljen e afatit, ky është numri i deklarimeve të pasurisë
Mbi 1 mijë e 400 deklarime të pasurisë janë dorëzuar deri të premten në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, derisa ka mbetur edhe një javë deri në mbylljen e afatit.
Janë rreth 5 mijë zyrtarë, të cilët obligohen të deklarojnë pasurinë, në të kundërtën do të përballen me gjoba kallëzime penale.
Aktualisht janë mbi 1 mijë e 400 persona, të cilët tashmë e kanë filluar deklarimin, ndërsa 2 mijë të tjerë nuk e kanë filluar fare këtë proces.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj thotë se i kanë kontaktuar individualisht secilin zyrtar, duke i njoftuar për pasojat që mund t’i kenë në rast të mosdeklarimit të pasurisë.
“Të premten mbyllet afati për deklarimin e pasurisë nga rreth 4 mijë e 800 zyrtarë, të cilët janë të obliguar të bëjnë deklarimin pasurisë, deri në këto momente e kanë deklaruar mbi 1 mijë e 400. Janë edhe rreth 1 mijë e 400 të tjerë, të cilët kanë filluar deklarimin e pasurisë dhe janë pjesa tjetër rreth 2 mijë, të cilët nuk e kanë filluar fare deklarimin e pasurisë. Agjencia ka ndërmarrë hapa të kontaktimit zyrtar, i kemi dërguar email individual secilit zyrtar që është i obliguar, duke ua rikujtuar rëndësinë e deklarimit të pasurisë, por ashtu edhe pasojat të cilat mund të merren pastaj nëse nuk kryhet me kohë”, thotë ai.
Këtë vit ka filluar të zbatohet deklarimi elektronik, për çka Buleshkaj shprehet se zyrtarët tashmë mund ta kryejnë obligimin nga shtëpitë e tyre dhe në mënyrë më të thjeshtë.
Ai shprehet se nuk janë kënaqur me numrin e deklarimeve, derisa thekson që edhe këtë vit po vazhdon praktika që deklarimet të dorëzohen pak ditë para mbylljes së afatit.
“Jemi të kënaqur si po shkon si proces, nuk jemi të kënaqur shumë me numrin e deklarimeve, të cilat janë pranuar, fatkeqësisht po vazhdon trendi i viteve të kaluara ku java e fundit është ajo java kur i deklarojnë, fatkeqësisht 60-70% të zyrtarëve, pastaj për shkak të ngutive mund të ndodhin edhe gabime…Nuk presim të kemi numër të madh të atyre që nuk përgjigjen në kohë. Fatkeqësisht, ata që nuk përgjigjen në kohë do të bëhen subjekt të gjobave, të cilat automatikisht do të lëshohen… 30% të pagës, deri në 500 euro, pastaj i jepet afat shtesë 15 ditë nga marrja e gjobës për ta bërë deklarimin e pasurisë. Nëse nuk e bën deklarimin e pasurisë, bëhet subjekt i kallëzimit penal në Prokurorinë e Shtetit”, thotë ai.
Ai bën të ditur se numri më i madh i atyre që deri tani e kanë kryer këtë obligim është nga gjyqtarët dhe prokurorët.
“Ka nga të gjitha, kemi numër të madh të gjyqtarëve, të cilët e kanë deklaruar, kemi numër të mirë të prokurorëve, të cilët e kanë deklaruar, kemi nga qeveria, kemi nga asamblistët, të cilët e bëjnë për herë të fundit deklarimin e pasurisë këtë vit, kemi nga të gjithë nga pak, nuk kemi një grup, i cili ka deklaruare të gjithë, ose një grup, i cili nuk ka deklaruar fare. Është një trend i vazhdueshëm ku ndërmarrjet publike i bëjnë pak më vonë deklarimet, këtu ndoshta jemi pak më keq te aspekti i ndërmarrjeve publike, por përveç asaj që është një numër i mirë por nuk është i mjaftueshëm”, thotë ai.
Personat, të cilët vonohen deri në 15 ditë për të deklaruar pasurinë do të gjobiten deri në 500 euro. E në rast të mosdeklarimin, përveç gjobës atyre u përgatiten kallëzime penale dhe mund të dënohen me burgim deri në 3 vjet.
Ndërsa, për deklarim të rrejshëm, zyrtarëve u përgatiten kallëzime penale dhe mund të dënohen me gjobë dhe burgim deri në 5 vjet.