Edhe një libër për luftën

20 maj 2023 | 12:08

Vlerësim për librin e Asllan Selimit – Tmerri ka emër (Kronikë lufte, burgu e qëndrese)

Kudusi Lama

Tmerri ka emër, një titull, që merr përsipër të na kujtojë pas 25 vjetësh rrugën nga kemi ardhur dhe të na bëjë thirrje për të mos harruar.

Një libër për më të pathyeshmit në këtë luftë të madhe që u bë për të ardhur tek liria.

Një libër që na tregon se si mund të fitohet edhe në skëterrën fashiste. Që të jep forcë të mos trembesh nga sfidat e të keqes, të vështirës, të pabesueshmes dhe të monstruozitetit të burimit të tmerrit.

Një libër që vlerëson se edhe sakrificat që bëhen në emër të atdheut janë të mirëseardhura si privilegje për të kapërcyer epokat e bërjes kombëtare.

Autori i këtyre kujtimeve të shprehura në formë ditari ka treguar me shumë thjeshtësi, qetësi e qartësi se si luftëtarët edhe në çastet më të vështira nuk duhet të jenë vetëm të vetes dhe nuk duhet të mendojnë vetëm për veten. Ai me arsyetime të qeta na tregon se sa lehtë është të bëhesh i madh edhe kur jeta është në fundin e saj, kur nuk shikohet asnjë dritë përtej çastit në të cilin  jemi duke kaluar. ”E keqja më e madhe e gjithë asaj që po ndodhte, ishte se, që nga ai çast, Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të kishte një ushtar më pak. Mendon luftëtari në çastet kur shkon drejt ferrit, për t’u vënë në provën e zjarrit të torturës fashiste të pushtuesit, sepse nuk i ka mbetur rrugë shpëtimi. Ai me vete nuk kishte armë, sepse siç vlerësohet nga mendimet e Asllanit, në atë çast do të ishte zhvilluar një betejë epike, ndoshta duke shtuar edhe një dëshmor, por duke regjistruar edhe një histori qëndrese më shumë e duke i shkaktuar armikut humbje të mëdha.

Duke pasur përpara një jetëshkrim për një periudhë të veçantë dhe shumë dhimbjeprurëse për Asllanin dhe shumë të tjerë burra e gra të Kosovës, tërheq vëmendjen se luftëtari në tehun e ndarjes së jetës me vdekjen nuk ka kohë të mendojë për dhimbjet e tij, por mendon: ”Çka do të mendojnë shokët për mua? Si do ta përjetojnë arrestimin tim?”. Pikërisht këtu qëndron madhështia e luftëtarit, që nuk mund ta kuptojë gjithkush si i kuptojnë ata që i kanë përjetuar çaste të tilla. E pra luftëtari edhe në vështirësitë ekstreme, parësor ka mendimin se sa dëm ka pësuar lufta për çlirim, si do të mund të rikuperohen këto dëme, si do të jenë shokët, si do të mbrohen e luftojnë ata etj.

Dhe Asllani nuk mendon thjeshtë se përse doli i humbur në këtë betejë me armikun. Por i thotë vetes me bindje: ”ajo qëështë bërë, nuk mund të zhbëhet më. Duhet të përqendrohem te vetja ime, me përgjegjësi të lartë për shokët, për Organizimin…”. E për këtë ai thotë e vlerëson me bindje të dinjitetshme: ”Tashmë, nuk isha vetëm një emër, një person… Isha “ambasador” i UÇK-së, brenda hekurave të armikut, nën kthetrat e tij. Përgjegjësi e lartë!” Nuk mund të gjej fjalë për të bërë këtë vlerësim përgjegjësish më të sakta se ato të Asllanit, prandaj edhe e citova si një vlerë luftëtari të asaj lufte të madhe që na solli lirinë.

E lexoj me shumë vëmendje çdo fjali e paragraf të këtij libri dhe jo vetëm njëherë, sepse është përjetuar vërtetë shpirti i luftëtari dhe i një luftëtari të ri që nuk ishte veçse një student universiteti. Një djali që megjithëse akoma nuk e kishte filluar jetën e tij, dinte mjaft mirë të përkushtohej për të ndërtuar jetën e atdheut të tij. Kjo është madhështi. Kjo është forcë. Kjo është kultura kombëtare dhe intelektuale që e shoqëroj atë luftë të vendosjes së themeleve të ringritjes kombëtare shqiptare për t’u bërë përfundimisht si një komb me dinjitet.

Nëpërmjet rrëfimeve në këtë libër, autori na jep modelin si të jemi të fortë për t’u ngritur në nivelin e personalitetit që i duhet një njeriu e luftëtari për të qenë në paqe me veten, me shokët, me familjen, me atdheun e kombin. Dhe këtë e zbulon kur shprehet se: ” ,po hetoja, se sa përballja me rrezikun, mëpakësonte frikën. Pastaj, mungesa e çdo alternative, çdo përqapje tjetër për t`iu shmangur atij rreziku, sikur më forconte edhe më shumë” Por këtë mund ta arrijnë vetëm ata burra e gra që dinë dhe kanë guximin ta shikojnë të keqen në sy, të mos e ulin kokën dhe të kenë shpirtin pa ngarkesa.

Luftëtari e di se ”Sfidat do të jenë të shumta e të vështira,…”, por edhe aty në ato kushte merr vendimin e pakthyeshëm, për të rezistuar, pasi nuk mund të bënte lëshime sepse çdo lëshim sillte dëme të pa riparueshme. E luftëtari i njihte mirë përgjegjësitë e tij për çështjen e atdheut e kombit në të cilën ishte përcaktuar dhe për të ruajtur të paprekur për dobësinë e tij të rrjetit luftarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilës i përkiste tashmë jo vetëm personalisht por me gjithë familjen, me gjithë rrethin fisnor e miqësor.

Sa dhimbje, sa forcë, sa ideale të pathyeshme, sa dashuri për njerëzit, për bashkëluftëtarët, për familjen, për atdheun shprehen në këtë libër, duke na sjellë shpirtin e autorit me gjithë forcën e tij prej mjediseve më armiqësore e më kundërnjerëzore që kishte ndërtuar armiku për të thyer vullnetin për liri të këtij populli të pushtuar por të pa lëkundur në idealet e lirisë. Sa pikëllim vjen në këtë libër për humbjen e shokëve në torturë e për të rënët në procesin e masakrave të pushtuesit mbi njerëz të pambrojtur edhe kur ata ishin të lidhur me zinxhir. Sa dashuri sjellë Asllani prej atij mjedisi vuajtjesh të tejskajshme për të na thënë se edhe aty në skëterrë duhet të dimë të duam atë që duhet dashtë, të dimë të urrejmë atë që duhet urryer. Edhe në ato kushte arrin të pasqyrojë me ngjyrat më të ndezura të shpirtit dashurinë për shokun dhe besimin në idealet e tij për të bërë vetëm atë që do të bënin bashkë.

Autori nëpërmjet kujtimeve të kohës arrin të pasqyroj shumë kthjelltë forcën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thjeshtë duke treguar për forcat e shumta të armikut që e shoqëronin atë apo edhe të tjerët në ambientet e hetuesisë, të burgut a të gjykatës, duke treguar shqetësimin e forcave të armikut që megjithëse të shumta e të armatosur me të gjitha armët ishin më të tmerruar se ata që ishin të lidhur me pranga e të masakruar nëpër tortura.

Mjaft qartë na vjen edhe pamja e gjyqtarëve, të cilët të thirrur për të bërë drejtësi vijnë në proces me urrejtje për atë që janë thirrur të gjykojnë. E prej këtej na vjen një mendim që është i pa kuptueshëm për kohën e sotme në kushtet e lirisë, duke arsyetuar se si është e mundur të urrej gjykatësi. Pse duhet të urrej gjykatësi? Si mund të qëndrojë një gjykatës që urren midis atij që quhet fajtor dhe prokurorit që akuzon? A mund të bëjë drejtësi një gjykatës që nënçmon të akuzuarin? Pamja që sjell Asllani nga salla e gjyqit është një mostër. Dhe ajo që më krijon një ndjenjë të thellë trishtimi është fakti që në këto trupa gjykuese ka edhe shqiptarë. A thua këta shqiptar nuk kishin asnjë mundësi të mos ishin aty? Po edhe nëse nuk e kishin këtë mundësi a nuk mund të shprehnin të paktën dhimbje me mimikën e tyre? A është e turpshme të urresh bashkëkombësin tënd që lufton të sjellë liri nga pozitat e gjyqtarit në shërbim të armikut? Të paktën urrejtje jo. Kaq kishin mundësi të bënin. Dhe ajo që më vjen në mendje në këto çaste është: A janë të tillë gjyqtar edhe sot? Si ndihen nën uniformën e gjyqtarit të vendit të tyre? A e kanë sjellë me vete atë urrejtjen e asaj kohe? Vërtetë a mund t’u besohet të tillëve që të bëjnë drejtësi? Unë them, të tillë të paktën duhet të ishin marrë me biznes, por jo me drejtësi, sepse vetëm lidhje me drejtësinë nuk kanë. Ata janë stërvitur të urrejnë viktimën, kështu që kurrë nuk mund të bëjnë drejtësi.

Dhe si e pasqyron fillimin e gjyqit, qëndrimin dhe ndjenjën në ato çaste autori i këtij ditari kur tregon: ”Kjo dramë armiqësore e hapur nga Kryetari i Trupit gjykues, filloi më të parin: – Emri? – Nait. – Mbiemri? – Hasani. – Datëlindja? – 15 janar 1965. – … ? – … . – Shtetas i RFJ-? – Jo! – Por…?! – Shtetas i Republikës Kosovёs– ngriti zёrin Naiti, me qëndrimin e tij zakonshёm trimëror, siç e njihja edhe herët. U njё zhurmё sallёn e gjyqit. Me lartё sesa tjerёt, ndёrhyri kryetari i trupit gjykues: “Shtetas i Republikës Kosovës, po thotë”! – duke cituar Naitin me pёrbuzje. Me kёtofjalё, mbi cilat po ndёrtohej parathёnia kombёtare e mёtutjeshme, sallёn e gjyqit u ngjallёn emocione të përziera dhe të papara. Dhe ishte pra kjo një përgjigje që e jep edhe Asllani e thuajse të gjithë të akuzuarit, duke e bërë të pavlefshme atë akuzë dhe atë trupë gjykuese.

Dilemat e autorit janë mbresëlënëse në procesin e gjykimit. Kërkesa e avokatit për të mohuar qenien luftëtar i UÇK-së dhe bindjes së tij se ”pohimi publik për ekzistimin e UÇK-së kishte rëndësi të madhe, dëshira për të deklaruar qenien luftëtar i UÇK-së dhe frika për dëmin që mund t’u bënte bashkëluftëtarëve që ishin edhe ata në atë proces e mund të humbnin jetën vetëm nga një deklarim i tillë. Të gjitha këto vijnë si një jehonë dashurie dhe sakrifice të pleksura për të arritur atë që konsiderohet idealja. E idealja është në shpirtin e luftëtarit, të cilën Asllani nuk e sjellë duke portretizuar veten por duke portretizuar bashkëluftëtarin dhe bashkudhëtarin e tij nëpër skëterrën fashiste të pushtuesit Nait Hasanin. Dhe si e paraqet madhështinë e portretit të tij: ”Ja ç’thoshte njeriu i veshur me petkun e lirisë: “…edhe 101 vjet po të më dënoni, asgjë nuk mund të ndalë procesin historik të pavarësimit të Kosovës”. Kjo ishte seanca e fundit gjyqësore. Njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëri ndër protagonistët kryesor të zhvillimit të saj deri në atë kohë, Nait Hasani, rizgjoisërish forcën e pashuar:”… Vetëm një brengë kam: brengosem që nuk do të jem përkrah shokëve; brengosem për atë që tash nuk mund të jap kontributin tim për çlirimin e Kosovës…”. E këtë siç duket autori e ka si model portreti për çdo luftëtar dhe çdo atdhetar që gjendet në burgjet e armikut. Ky mendoj është mesazhi që vjen nga ajo kohë, për të treguar forcën shpirtërore të atyre që ishin të privuar nga liria e të privuar për të qenë në vijat e fronteve ku zhvillohej lufta për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga pushtimi një shekullor serb.

Dhe çfarë mendon Asllani në procesin e torturave fashiste në burg është mbresëlënëse. Ai ka vetëm një qëllim, ka vetëm një ideal, të qëndrojë, të mos bëhet i mjerë, të mos tregojë asnjë dobësi përballë armikut, me të cilin duhet të ballafaqohej me dhjetëra herë çdo ditë. Shumë më shumë se po të ishte luftëtarë në vijat e frontit të luftës në Kosovë. Sepse edhe brenda burgut bëhej politika e mashtrimit. Edhe funksionarët e burgut kishin synim jo vetëm t’i torturonin luftëtarët e burgosur, por edhe t’i poshtëronin duke u përpjekur që nëpërmjet torturës t’i detyronin të deklaronin se ishin thjeshtë terroristë. Sepse dihet që terroristët nuk kanë ideale, ata janë thjeshtë autorë vrasjesh masive. E nëpërmjet kësaj përleshjeje që ndodhte brena në burgjet e armikut, autori na e sjellë të gjallë edhe luftën politike që bëhej aty qoftë edhe nëpërmjet torturës.

Dhe ndër të tjera, autori deklaron se në ato burgje të armikut nuk mund të kishte trajtim njerëzor për shqiptarët. Prandaj Asllani shprehet: ”Thënë më çartë; ne nuk kishim asnjë të drejtë njerëzore brenda grilave serbe. Që nga ajo ditë, ashtu siç kisha dëgjuar, shqiptari, brenda grilave serbe, nuk konsiderohet më si i tillë. Ai, është vetëm një numër. Edhe unë, tashmë isha “pagëzuar” me “emër të ri”. Ai, ishte një numër katërshifror: 1807…”. Por ajo që të befason në fuqinë e shpirtit të autorit në ato kushte është fakti që ai ka bindjen se i përket gjeneratës së fundit që përjetësisht do t’i nënshtrohet këtij tmerri të pushtuesit. E ky është tregues i bindjes së luftëtarëve të UÇK-së kudo ku ishin se liria po vinte dhe se rruga e kësaj ishte e pa kthyeshme dhe ndarja me serbet përfundimtare. Është kjo bindje pasqyrë e përfytyrimit të lirisë që po vjen dhe e përjetimit të lumturisë së shqiptarëve të lirë. Dhe të mendosh që gjithë ky përfytyrim i ëmbël vinte duke përballuar tortura shtazarake të armikut, i cili duke i pasur luftëtarët të lidhur bënte çdo gjë monstruoze vetëm për të thyer moralin e tyre. Kështu që, të ecësh me Asllanin nëpër atë situatë skëterre vërtetë bëhesh i fortë. Këtë e kam ndjerë në çdo fjali e paragraf të lexuar në këtë libër të veçantë, që do ta quaja me plotë të drejtë libri i qëndresës.

Armiku vjen me gjithë urrejtjen e tij kur na pushton. Por ai nuk arrin të mendojë se siç ka ardhur edhe do të shkojë një ditë. Ka ardhur me luftë e me zjarr dhe do të shkojë me luftë e me zjarr. Por nga që nuk arrin ta konceptojë se si mund të shkojë, ai ndërmerr goditje të gjithanshme. Kështu, kur humbet në frontet e luftës, u sulet qytetarëve të pambrojtur e i masakron. Por unë nuk e kisha ditur se edhe në burgje, ndikon humbja e armikut në frontet e luftës. Se edhe të burgosurit ndëshkohen e masakrohen, si hakmarrje për humbjet në frontet e luftës. Këtë e mësova në këtë libër të kujtimeve të Asllan Selimit.

Prej atij burgu vjen edhe ajo fjalia e famshme që shumë nga ne aktorët e asaj kohe jemi mësuar ta dëgjojmë. Por që të kishte shkuar deri në burgun e Serbisë duke tentuar të thyhet shpirti i luftëtarëve të burgosur as që do ta kisha menduar. Më ka ngalur ne mendje ajo fjalia e avokatit të Asllanit gjatë vizitës kur i thotë se: Duan të luftojnë ata njerëz, që nuk e kanë të kryer as shërbimin ushtarak…. Po. Ashtu na i quajtën djemtë e vajzat e UÇK-së shumë nga ”shqiptarët e diturit” për turpin e tyre, por ata e fituan luftën; i quajtën edhe të pa shkolluar, por ata e fituan luftën dhe e bënë gjithë botën bashkëluftëtare të vetes; ata e fituan luftën dhe e bënë edhe shtetin. Na i quajtën edhe komunistë, por ata e bënë demokracinë; na i quajtën edhe ekstremist por ata u bënë miq me gjithë botën demokratike; na i quajtën edhe të pa informuar, por doli se ata kishin qenë pararoja politike e shqiptarëve në sytë e gjithë botës së zhvilluar. E Asllani edhe në këtë aspekt vjen si një vizionar, që e ka pasur shumë të qartë e të kthjelltë se në çfarë formacioni kombëtar është rreshtuar. Prandaj edhe nderimi për këta qëndresëtarëduhet të jetë i pakufishëm.  

Një aspekt shumë i veçantë në këtë ditar vijnë vizitat e familjarëve në burg, kryesisht të nënave dhe baballarëve, të cilët vijnë me një barrë mundime, me një barrë emocione dhe me një barrë halle, për të marrë edhe një barrë dhimbjeje aty në portat e burgut ku vuanin më të dashurit e tyre.

Vetëm se si mund të goditet e të rrihet deri në shkatërrim fizik një njeri që nuk të bën asgjë, që nuk të kundërshton, që nuk të fyen, që nuk të shikon, që nuk ka asgjë që të godasë, që nuk ka asgjë që të mbrohet, që është i lidhur me pranga, sinqerisht nuk arrij ta kuptoj. Nuk arrij ta imagjinoj dhe nuk do ta kisha bërë kurrë sikur të kisha gjithë armiqësitë kundër tij. Mënyra se si e përshkruan brutalitetin e policit, hetuesit, gjykatësit, oficerit, ushtarit, gardianit, përgjegjësit a drejtorit të burgut Asllani më le pa fjalë. Janë disa skena që jo vetëm nuk mund të jem veprues në to, por janë aq të pabesueshme, sa të krijohet bindja se ata janë disa njerëz që vetëm njeriun nuk e njohin dhe nuk e dinë se çfarë vlere ka, se po t’u thuash njerëz të lashtësisë do të fyheshin të lashtët, pasi ata kurrë nuk pranonin të ngrinin armën kundër një njeriu të pa armatosur e le më të lidhur. Por këto përshkrime tregojnë se të gjithë kanë qenë njëlloj, të gjithë kanë qenë kriminelë dhe masakrues gjakftohtë. Është shumë e pa kuptueshme ta shkruash, e të thuash është e vërtetë nëse nuk do të ishte aty Asllani, Naiti, Bajrushi, Bislimi e të tjerë të cilët janë këtu e që i kanë përjetuar skena të tilla.

Në këtë libër, edhe njëherë vërtetohet nëpërmjet vrojtimit okular, se Jugosllavia e Serbia, në atë periudhë të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përveç forcave ushtarake dhe forcave policore, i kishte prezent në mënyrë masive edhe forcat paramilitare, forcat kriminale e vullnetare deri edhe të liruarit nga burgjet, si dhe forcat qytetare serbe të Kosovës të organizuara e armatosura deri në dhëmbë për të vrarë shqiptarë. Pra, Asllani në këto kujtime ditar të tij edhe njëherë freskon memorien e atyre që mund ta kishin çliruar Kosovën me dhjetë mijë mercenar e të mos i kishin luftëtarët e UÇK-së sot nëpër Kosovë.

Është thënë që forcat ushtarake e policore të Jugosllavisë e Serbisë në atë kohë kanë përdorur shqiptarët si mburojë të gjallë. Shumëkush nuk ka besuar. Shumëkush në emër të kësaj ka akuzuar edhe NATO-n e SHBA-të për këtë, si mashtrime për të justifikuar gabimet e tyre. Por ja që Asllan Selimi, tashmë pas 25 vjetësh i rrëzon të gjitha, kur tregon si aktor i drejtpërdrejtë i asaj skene të madhe lufte se Burgu i Dubravës, pasi ishte bërë një bazë e madhe e grumbullimit dhe strehimit të njësive të trupave ushtarake jugosllave, ishin sjellë nga të gjitha anët e Serbisë të burgosurit shqiptar për t’i përdorur aty si mburojë të gjallë të forcave të tyre ushtarake. E ky është rrëfim i një të pranishmi në gjithë këtë masakër të organizuar me gjakftohtësi. Është rrëfimi i një aktori që më shumë e ka mbajtur shikimin te shokët, te bashkëluftëtarët, te bashkëvuajtësit, te bashkëjetuesit, te frontet e luftës së UÇK-së, te familjarët e te të njohurit e të panjohurit në gjithë Kosovën, te bashkëluftëtarët që tashmë vijonin luftën e lavdishme për çlirim, dhe në mënyrë episodike te vetja, te vuajtjet e tij, te dhimbja e tij, aq sa duket sikur ai është një kronist që nuk u nënshtrohet të gjithë atij kalvarivuajtjesh e masakrimi si gjithë të tjerët. Kjo është madhështi i dashur Asllan, ky është tregues i një luftëtari të paepur që di të dalë mbi dhimbjen për të mbajtur vështrimin mbi shokët, mbi bashkëluftëtarët e mbi bashkëveprimtarët a qoftë edhe mbi bashkëjetuesit e rastit.

Përshkrimet e autorit në veprën e tij ”Tmerri ka emër”, në çastet e goditjes së NATO-s në Burgun e Dubravës, janë një burim informacioni shumë i qartë dhe shumë me vlerë, për të qartësuar se realisht si është zhvilluar situata më 19 maj 1999 e në tre ditët të vijim. E aty autori na zbulon edhe faktin tjetër të njohur, por jo gjithnjë të pranuar se në atë periudhë Jugosllavia e Serbia kishin armatosur edhe të burgosurit serb, deri edhe ata që kishin qenë të burgosur në burgje bashkë me shqiptarët, për t’i përdorur si masakrues mbi shqiptarët brenda në burgje e mbi popullsinë shqiptare nëpër Kosovë.

Është mbresëlënës portreti që bën në ato kushte autori për Nait Hasanin, të cilin e paraqet me përmasat që vërtetë e bëjnë atë prijës si në kushtet e terrenit të Kosovës ashtu edhe në kushtet e burgut të Serbisë, ku ai do të jetë në çdo kohë i ndodhur në pozicionin e nevojshëm për të bërë më të mirën për kushtet dhe për të mbajtur qëndrimet burrërore e trimërore, për t’u bërë shembull edhe për të tjerët, për t’u bërë frymëzim dhe mburojë për procesin e zhvillimit të situatave për të gjithë bashkëluftëtarët.

E kështu Asllani nuk dëshiron të ngelet borxh me askënd. Prandaj në përshkrimin e të gjitha portreteve paraqet përmasat e secilit me qëndresën, forcën dhe dobësitë, ashtu sikurse nuk përton të jetë edhe kritik për ata që në momente të veçanta nuk gjenden në nivelin e kërkesave të kohës apo të situatave që zhvilloheshin brenda në burg apo në hapësirat e Kosovës.

E paraqet si mbinjeri Bislim Zogajn, që ishte gjithkund për t’u ardhur në ndihmë të burgosurve, ishte bërë mjeku i tyre, shëruesi, shpresa, dëshira për jetë. Skena të pa imagjinueshme na sjellë Asllani duke na e gjallëruar ndjenjën e dashurisë, të sakrificës, të kolektivitetit, të unitetit, të respektit për jetën, të ndjenjës njerëzore për të bërë gjithçka për shokun, për jetën, për të ardhmen.

Masakra serbe në Dubravë është dëshmia më e plotë që vjen nëpërmjet rrëfimit të autorit në këtë vepër me vlerë të madhe historike, për të bërë të qartë se cili ishte niveli i politikës së Jugosllavisë dhe Serbisë në marrëdhënie me shqiptarët. Ku duket se përveç ndjenjës së masakrës këtu nuk ka asnjë element tjetër për të justifikuar atë që ka ndodhur. Këtu shihet më qartë se sa pak ka vlerë jeta e njerëzve për Serbinë e shtetin jugosllav, mjafton që ajo të shërbejë për të bërë një akuzë të montuar kundër dikujt. Siç ishte në rastin konkret një akuzë e montuar kundër NATO-s, për të ia faturuar asaj masakrimin e shqiptarëve. Për ta bërë atë vrasëse të shqiptarëve por që realisht me armët serbe dhe me ushtarët serb, të cilët kryenin me gjakftohtësi ekzekutimet vetëm që të thuhet për NATO-n. Asllani atë akt e ka quajtur pushkatim. Dhe vërtetë është pushkatim, pasi t’i thërrasësh njerëzit në rresht dhe të hapësh zjarr me të gjitha armët kundër tyre, ky është një pushkatim i planifikuar dhe i organizuar me shumë kujdes e gjakftohtësi. Ky mund të konsiderohet pushkatimi i dytë masiv i shqiptarëve nga serbët në mënyrë të organizuar, pas atij të Tivarit në vitin 1945. Është thuajse e njëjta skemë, veçse në këtë rastin e dytë nuk u arrit të pushkatoheshin të gjithë, sepse luftëtarët ishin më të organizuar dhe më qendresëtarë këtu në Dubravë.

Ndërsa Asllani do të gjejë kohë të mendojë se: ”Vdekja (rënia) në front, në luftë kundër armikut, do të ishte shumë më e lehtë…! Të vdesësh pa mundur t’ia bëje as një gërvishje armikut, qenka e vështirë – flisja me vete. Por besoj ta ketë kuptuar se në ato kushte edhe burgu ishte një front lufte, pasi fronti dhe burgu në çdo luftë plotësojnë njëri tjetrin dhe motivojnë njëri tjetrin. Kështu na tregon historia e luftërave botërore për liri. Ashtu sikurse ka raste që në burgje merren vendimet më të rëndësishme për ecurinë e luftës.

Në këtë libër të duket sikur çdo fjali jep një informacion të veçantë, secili informacion më i rëndë se tjetri. Secili informacion të lë pa frymë, të krijon një ndjenjë sikur ke jetuar edhe ti në ato mjedise e sikur je bashkëvuajtës me ata luftëtarë e veprimtar që kanë përjetuar gjithë atë ferr fashist.

Ky libër më duket se duhet lexuar sikur je duke vrapuar, duke marrë edhe frymë me intensitet. Nuk të lë të ndalesh, duket sikur ndjen dikë që të thotë vrapo vrapo. Gjatë leximit e kam gjetur veten shumë herë me rrahje shumë të shpeshta të zemrës. Duket sikur gjendesh në pozitën duke i kërkuar llogari vetes që nuk ke bërë më shumë për të mos lejuar që të ndodhnin masakrime të tilla e poshtërsi të tilla të programuar nga një armik vërtetë i pistë në kuptimin e vërtetë të fjalës, se armik mund të jesh, por armiku e ka për detyrë të jetë edhe njeri.

Asllani është një kronist i kohës, që ka sjellë një jetë prej asaj kohe, për të mos u harruar kurrë. Ai nëpërmjet imtësive e sjellë atë kohë me të gjitha ngjyrat e saj. Por sjellë edhe personazhet me shumicë dhe nuk harron të tregojë hollësisht për ta, duke i detajuar të dhënat dhe informacionin. Në këtë libër Asllani ka sjellë aq shumë personazhe sa nuk gjenden në dhjetë romane artistike të marrë së bashku. Dhe ata janë personazhe jetësorë jo të gdhendur. Por vijnë aq të larmishëm sa që askush nuk mund të thotë se edhe artistikisht mund të gdhendë personazhe kaq të përsosur. Ata ishin personazhe që ”… e çmojnë lirinë më shumë se jetën …”.

Asllani me shumë gjerësi të shpirtit, të zemrës e të mendjes, gjen mundësi që në rrëfimin e tij të portretizojë edhe nënat shqiptare nëpërmjet portretit të një nëne që nuk është e tij, por e një luftëtari tjetër, por që për të është një nënë kreshnike, që në frontin e luftës kur e gjen të birin me gjashtë plagë, nuk ligështohet, por thotë: Me fat plagët biri im…”! – “Nuk dua të shoh kështu të shtrirë…! Ngritu, se shokët po të presin, atje në front…”! Prandaj edhe autori i këtij rrëfimi interesant e quan: ”Përsonifikimi më i mirë i Nënës Shqiptare”.

I dashur Asllan, është ky libër një shërbim i madh që i bën pasluftës për luftën dhe qëndresën, nëpër të cilat erdhe ti me bashkëluftëtarë e erdhi liria.

Me ke entuziazmuar me këtë rrëfim dhe më ke krijuar një bindje se asgjë nuk humbet në këtë botë. Gjithçka vjen një ditë për të zbardhur të madhërishmen e për të akuzuar kriminalen dhe për të turpëruar të shëmtuarën që është sjellë nëpër këmbë për të penguar.

Uroj të kesh jetë e shëndet dhe të shoh duke u dhënë jetë edhe shumë rrëfimeve të tjera sepse vërtetë lapsi yt është i prehur dhe shkruan shumë hollë.

Prishtinë më 19.05.2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të marrë pjesë sot…