Edhe një protestë kundër rritjes së çmimit për sigurim të veturave
Edhe një tjetër protestë është paralajmëruar kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për rritjen e çmimit për sigurim të veturave.
Pas paralajmërimit të protestës nga grupi “Speedomaniaks” për të shtunën, më 23 nëntor, tani vjen një paralajmërim tjetër për protestë nga grupi i “Marakli t’kerreve”.
Grupi “Marrakli t’kerreve”, fton publikisht për protestë paqësore dhe pa kerre te rruga “Luan Haradinaj”, pranë BQK-së, më 22 nëntor (e premte) nga ora 13:00.
Gjithashtu, dje kundër vendimit të BQK-së ka nisur edhe një peticion online.
E lidhur me këtë çështje Banka Qendrore e Kosovës, ka paralajmëruar konferencë për medie të enjten me 21 nëntor në orën 11:00.
Postimi i plotë i grupit “Marakli t’kerreve”, pa ndërhyrje:
“Ftesë publike për protestë paqësore dhe pa kerre
Të gjithë e kemi parasysh që nga data 15 Nëntor ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%.
Duke e ditur këtë fakt i cili prek gjepat e secilit qytetar dhe përkeqëson edhe më tutje gjendjen tonë ekonomike, ne si komuniteti më i madh i veturave në Kosovë dhe më gjerë nuk do rrimë duarkryq, prandaj me datë 22 NËNTOR 2019 (E Premte) nga ora 13:00 grupi “Marakli t’kerreve” organizon protestë me qëllimin e vetëm, atë të kundërshtimit të këtij vendimi. Protesta do të mbahet në rrugën “Luan Haradinaj” pranë BQK-së.
Ne ftojmë çdo qytetar, organizatë, media si dhe çdo palë tjetër të interesuar të na bashkohet në mënyrë që të arrijmë synimet tona”.
/Epoka e re/