Edhe një tejkalim i lejes ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit
“Praktika e mosrespektimit të pëlqimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore gjatë aktiviteteve ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit nuk ka të ndalur. Rasti i fundit i kësaj natyre sipas autoriteteve ka ndodhur në fqinjësi të ndërtesës së Kryqit të Kuq”, është bërë me dije në njoftimin për medie të OJQ EC Ma Ndryshe.
OJQ EC Ma Ndryshe ka vlerësuar se sipas të dhënave nga Drejtoria Komunale e Urbanizmit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Këshilli i Trashëgimisë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit, ka leje për ndërtim në etazhitet maksimal dy kate, e cila sipas autoriteteve lokale të trashëgimisë kulturore nuk është respektuar dhe është tejkaluar.
“Për më tepër, kjo strukturë duhet të respektojë integritetin e asetit të trashëgimisë që është e ngjitur me të”, është theksuar në njoftimin për medie.
EC Ma Ndryshe kohë më parë ka theksuar se objekti i Kryqit të Kuq ka vlerë historike, artistike, identiteti, peisazhore, ekonomike dhe funksionale, dhe se fakti që ndodhet në Qendrën Historike të Prizrenit i jep automatikisht statusin e objektit të mbrojtur me ligj.
“EC Ma Ndryshe përkujton se shumë herë ka bërë thirrje për mbikëqyrje më rigoroze të çdo aktiviteti ndërtimor në Qendrën Historike të Prizrenit. Prandaj edhe njëherë e përsërit qëndrimin se është koha e fundit që organet shtetërore që kanë përgjegjësi të veprojnë në mënyrë serioze dhe më energjike për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur”, është thënë ndër të tjera në njoftimin EC Ma Ndryshe.