Edhe një zyrtar amerikan mbështet tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova
Edhe një senator amerikan, Rand Paul, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se është koha për t’i sjell trupat amerikane në shtëpi.
Ai ka theksuar se Kosova duhet të punojë me Serbinë për një paqe të qëndrueshme.
“Unë mbështes paqen dhe tregtinë me të gjithë. E inkurajoj Kosovën që të kthejë një faqe dhe të punojë me Serbinë për një paqe të qëndrueshme. Koha për t’i sjellë trupat tona në shtëpi pas kaq vitesh atje …”, ka shkruar Paul.
Ky është senatori amerikan i dytë me rradhë që kërkon përfundimin e misionit ushtarak të ShBA-së në Kosovë.
Të martën, senatori amerikan David Perdue, përmes një shkrimi në “Twitter” ka shkruar se në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë ShBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
Deklaratës së tij, të martën, i bënë jehonë, Donald Trump Junior, djali i presidentit të ShBA-së, Donald Trump, dhe i dërguari presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.