Edhe opozita po premton si pozita dikur
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA-BAJGORA
Shumë përralla për një grusht vota: LV-ja sa ishte në opozitë premtoi aq shumë që as Thesari amerikan nuk do të kishte mundësi t’i realizojë këto premtime. Baza e premtimeve ishte e natyrës sociale, si siguri për një mirëqenie materiale, rritja e pensioneve, pagave, ndihmave sociale, ulja e çmimeve të artikujve të domosdoshëm ushqimorë, mosrritja e çmimit të rrymës, shërbime shëndetësore cilësore dhe pa pagesë, ndërtimi i çerdheve dhe shkollave, rritja e vendeve të punës, azileve për të moshuar dhe përralla që flenë bukur në veshin e atyre që kanë nevojë. Jo që nuk pati asnjë realizim të këtyre premtimeve, por përkundrazi pati përkeqësim të gjendjes sociale; pensionet vendnumëruan sikur edhe pagat dhe ndihmat sociale.
Nëse kemi parasysh ngritjen e çmimeve të thuaja gjithë artikujve të domosdoshëm për mbijetesë dhe shërbimeve, sidomos të rrymës del se pagat, pensionet dhe ndihmat sociale janë zhvleftësuar shumë. Qeveria për çdo gjë ka gënjyer, brutalisht ka shkelur premtimet gjatë fushatës duke ndikuar në varfërimin galopant të pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës. Shifrat për zhvillim ekonomik, vende të reja të punës, ngritje të mirëqenies janë rezultate të sajuara nga ministra jokompetentë, hajdutë, mashtrues dhe të pafytyrë e që paraqet dhunim shtesë të qytetarëve. Një ministër mashtrues dhe rrenc, si puna e Hekuran Muratit, urrejtës patologjik i UÇK-së dhe mohues edhe më patologjik i të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së, sa herë që kishte nevojë regjimi, sajonte shifra dhe bilance të parealizueshme edhe për Luksemburgun e lëre më për Kosovën, ushtarët e së cilës nuk kanë mjaftueshëm as fasule për ta mbushur barkun.
Po kjo Rozeta Hajdari, po të mos ishin në pyetje rezervat shtetërore që me injorancën dhe dashakeqësinë e saj i shndërroi në rezerva private, për çka do të mbahej mend?! Për punën e saj, sigurisht jo. Arben Vitia, një mumie politike mashtruese, me kollare, i ricikluar nga Kurti sipas bioritmit politik të kryeministrit nuk ka bërë asgjë përveç se ka rritur shkallën e mortalitetit dhe tenderët njëburimorë.
Mashtrues që ia kalon edhe Ostap Benderit, doajen dhe legjendë e mashtruesve botërorë. Për çka do të kujtohet analfabetja magjistre e arsimit, Arbërie Nagavci përveç se e ka përligjur analfabetizmin në të gjitha nivelet. I ka dy suksese personale. I pari se është bërë ministre e që konsiderohet se është meritë e Albin Kurtit dhe i dyti se thuaja i ka mësuar të gjitha shkronjat e alfabetit, e që është sukses personal ku roli i kryeministrit Kurti më shumë është inkurajues se vendosës.
Njëri ndër dhunuesit brutal të buxhetit të shtetit është HAJNrullah Çeku që ka ndarë para me thes për vete, partinë dhe miq, narkomanë dhe piromanë, etj. Rastet i ka dërguar te Antikorrupcioni ku prenë dhe qep rrobaqepësi që punon vetëm sipas masave të Albin Kurtit. Ose një ministre për Punë të Jashtme e cila për një mandat të plotë nuk e ka asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare e që veten, pa asnjë turp dhe brejtje të ndërgjegjes e quan ministre të suksesshme. Në vende normale ajo do të duhej të ishte në një institucion tjetër ku Kosova nuk do të pësonte dhe bëhej hor kurse ajo do të përfitonte personalisht. Faton Peci është atraktiv kur e luan trimin.
Nga aspekti psikologjik e nevojës së kompensimit të asaj që nuk e keni, në rastin e Fatonit – trimërisë, si armë përdorni postin dhe pushtetin. Ashtu ka vepruar edhe Shemsi faqeziu. Fatoni krekosej se ia ftohi Ramushit duke e përzënë nga objekti ku ishte selia e AAK-së me shpresë se Ramushi do të kundërshtonte dhe do të rritej nami, emri, jo edhe mbiemri dhe vepra e Faton Pecit. Ramushi doli në një vend më të mirë, u tregua shumë i matur dhe praktik duke e lënë Fatonin cipricullak në trimërinë e tij. Për Xhelë Pandurin, Albulenën, Hysen Aliun, dhe ministra tjerë, në ndonjë shkrim tjetër.
Premtimet politike të Albin Kurtit dhe LV-së ishin se do t’i zhbëjnë të gjitha marrëveshjet me Serbinë, nuk do të bisedojnë pa kërkimfalje dhe zbardhje të fatit të personave të zhdukur dhe se do ta bëjnë padinë për gjenocid kundër Serbisë. Këtu është mashtrimi dhe dështimi më i madh i Albin Kurtit dhe LV-së. Jo që nuk e zhbënë asnjë marrëveshje me Serbinë, por e pranoi marrëveshjen e Brukselit me aneksin e Ohrit të cilën nuk do ta nënshkruanin as Rrahman Morina e Ali Shukriu. Po bisedohet me Serbinë pa asnjë kërkimfalje. Për fatin e të zhdukurve më shumë po angazhohet Bajram Qerkini se i tërë kabineti qeveritar, Kuvendi i Kosovës apo presidenca e Vojsa Osmanit. Sa i përket padisë për gjenocid, sigurisht ka menduar për Ruandën dhe Srebrenicën. Jo që nuk ka bërë padi për gjenocid me të cilën do të sanksionohej klasa politike, policore dhe ushtarake e Serbisë, por ka arritur efektin e kundërt, mbase të dëshiruar për veten e tij duke krijuar rrethana, kushte dhe mundësi për dënimin e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë shqiptarë që e bënë dhe e fituan luftën çlirimtare, e shpallën pavarësinë dhe e bënë shtetin.
Po opozita: Opozita, në vend se të mbledhë mend nga mashtrimet dhe dështimet e Albin Kurtit e që është edhe LV-ja vet, po shkon gjurmëve të atyre mashtrimeve duke premtuar çdo gjë që nuk varet nga ajo dhe duke lënë anash çdo gjë që varet nga opozita. Opozita, edhe nëse fiton 100 për qind të votave nuk ka asnjë gjasë ta zhbëjë apo ndryshojë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, këtë e kanë të qartë edhe Halili me Dimalin, personalitetet më inteligjente që kam njohur përmes deklaratave publike. Për fat të keq nuk kam pasur kënaqësinë t’i takojë, as personalisht, as publikisht e as ilegalisht. Opozita ka mundësi shumë të kufizuara të bëjë, si me shkop magjik, ndërhyrje të mëdha për përmirësim të kualitetit të jetës.
Opozita e ka të qartë që përmbajtjen e marrëveshjes që e ka pranuar Albini, ta mbështjell me një pëlhurë opozitare që lë përshtypjen se është ndryshe. Ose siç do të thoshte Rashiqi, Sejdo Bajramoviqi i serbëve të Sllobës: “isto govne, drugo pakovanje – m..i i njëjtë, paketimi ndryshe…”. Pa asnjë dyshim se opozita do të rritet, jo se ka punuar shumë dhe mirë, por se Albini nuk ka punuar, as mirë e as drejtë. Ka mashtruar thuaja për çdo gjë. Albini u rritë shumë shkaku i dështimit të pozitës së atëhershme, propagandës gebelsiane të mihali-qëve dhe urrejtjes së shfrenuar ndaj udhëheqësve të luftës dhe të shtetit. Këtu përfundon mashtrimi i vjetër i pozitës aktuale dhe nëse nuk mbledhin mend, me gjasë këtu fillon mashtrimi i opozitës aktuale për të ardhur në pushtet!