Edhe Osmani ishte kundër zbatimit të vendimit për manastirin e Deçanit: Do të krijonte probleme marramendëse për Kosovën

13 mars 2024 | 13:01

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para një viti e kundërshtonte zbatimin e vendimit të Kushtetueses për manastirin e Deçanit, të cilin të mërkurën qeveria Kurti ka kërkuar të zbatohet.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, të cilën e kishte dhënë vitin e kaluar, ajo kishte thënë se ky vendim bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit.

“Aty kemi të bëjmë me një vendim që bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit dhe këtu është e gjithë përgjigja. Madje, edhe në vitin 1999 kur Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara, rregullorja e parë e UNMIK-ut në Kosovë lidhur me ligjet e aplikueshme në Kosovë pati paraparë që vendimet dhe ligjet e kohës së Millosheviqit nga marsi i vitit 1989 deri në qershor 1999 janë të pazbatueshme në Kosovë për shkak të natyrës së tyre diskriminuese”, kishte thënë Osmani, duke shtuar se vendim ishte në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

“Mos harroni që Millosheviqi ka dhënë e ka marrë toka në vitet ‘90 pa asnjë kriter, pa asnjë vendim, pra komplet mbi baza diskriminuese. Dhe, madje, këtë e ka bërë edhe gjatë viteve 1998-‘99, kur kemi qenë në luftë, kur kryente gjenocid kundër popullit të Kosovës. Pra, ky është problemi themelor sa i përket këtij vendimi”, ishte shprehur Osmani.

Ajo kishte paralajmëruar se ky mund të jetë një precedent i rrezikshëm.

Madje, shefja e shtetit kishte thënë se zbatimi i këtij vendimi do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës.

“Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë, sepse pastaj institucionet e Kosovës nuk mund të thonë ne po e zbatojmë një vendim, i cili buron nga koha e Millosheviqit, por jo edhe qindra e mijëra të tjerë. Pra, do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës. Askush në Republikën e Kosovës nuk është kundër kishave ortodokse. Ne e shohim multietnicitetin dhe shumëllojshmërinë e religjioneve në Kosovë si vlerë, si pasuri. Askush nuk e sulmon Kishën Ortodokse Serbe. Përkundrazi, Kosova ka ligje për zonat e veçanta ku kishat dhe pronat e tyre i konsideron si zona të mbrojtura – ligje që nuk ekzistojnë në asnjë vend të Evropës. Pra, ne kemi shkuar përtej standardeve evropiane dhe ndërkombëtare sa i përket mbrojtjes që ofrojmë për kishat dhe Kishën Ortodokse në Republikën e Kosovës. Pra, është vlerë”, kishte vlerësuar Osmani. /Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me dy ndeshjet…