Edhe pak ditë për tatimin në pronë: Çka nëse s’e paguan?
Nëse deri në fund të muajit prill, qytetarët e Kosovës nuk e bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit në pronë për vitin 2023, ata do të gjobiten.
Për ta do të aplikohet një interes prej 0.65% për secilin muaj që vonohet pagesa, si dhe një gjobë prej 10% të tatimit të papaguar.
Qytetarët që paguajnë, ndërkaq, do të mund të përfitojnë nga Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.
Ky projektligj parasheh që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë për vitin tatimor 2023. Pra, nëse ai e paguan faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.
Vendimi për faljen e tatimit në pronë, sipas projektligjit në fjalë, merret nga Kuvendi Komunal i çdo komune, më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Projektligji është miratuar më 31 mars në Qeverinë e Kosovës dhe është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.
Por, deri te miratimi i tij final, janë edhe disa faza për t’u kaluar, e që nuk pritet të kryhen brenda këtij muaji.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se me faljen që do të bëhet, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për këtë vit, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.
Si bëhet pagesa e tatimit në pronë?
Pagesa e tatimit në pronë në Kosovë mund të bëhet në dy këste.
Afati për pagesën e këstit të parë është 30 prilli, ndërsa për këstin e dytë është fundi i muajit shtator.
Faturat u rritën deri në 100%
Çështja e tatimit në pronë është bërë temë diskutimi në Kosovë, muajve të fundit, pasi faturat për vitin 2023 janë rritur.
Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15% e vlerës së përgjithshme të pronës.
Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.
Pas këtij vlerësimi, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100%, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar.
Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kundërshtuar rritjen e tatimit në pronë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, në muajin shkurt, duke kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimit paraprak.
Rezoluta është përkrahur nga partitë tjera opozitare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, si e tillë, ajo nuk ka kaluar në Kuvend, sepse nuk është votuar nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje.
Pezullimin e vendimit të rivlerësimit të pronave e ka kërkuar edhe Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Kërkesa është bërë për shkak të, siç është thënë, “rrethanave të vështira ekonomike për qytetarin, siç janë: rritja e çmimeve të produkteve bazë dhe produkteve të tjera”.
Cilat janë përfitimet e shtetit?
Nga tatimi në pronë, shteti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro.
Të hyrat e mbledhura nga tatimi në pronën e paluajtshme arkëtohen në llogarinë e komunës ku ndodhet prona e paluajtshme dhe shfrytëzohen nga komuna për zhvillimin e infrastrukturës dhe projekte të tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet çdo tre ose pesë vjet.
Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.
Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019. /REL