Edhe PDK-ja dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë
Edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për për Zyrtarët Publikë.
Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri përmes një postimi në Facebook, duke thënë se kjo administratë e këta zyrtarë publikë, janë investim afatgjatë i shtetit dhe i partnerëve tanë dhe siç është shprehur ai, nuk do të lejojnë që t’i nënshtrohen “presioneve e agjendave politike”.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar muaj më parë, sot e dërguam në Gjykatën Kushtetuese ligjin që shumica parlamentare e miratoi javën e kaluar dhe me të cilin ndryshohet dhe plotësohet Ligji në fuqi për Zyrtarët Publik”.
“Sikurse, këtë të fundit, kur dy vite më parë e dërguam në gjykatë, ashtu edhe tani ndryshim-plotësimin e tij, e kemi dërguar për të pamundësuar politizimin e partizimin e administratës publike dhe për të parandaluar degradimin e sistemit të meritokracisë, karrierës dhe pavarësisë së administratës, detyrë e të cilës është ti shërbej me zell e profesionalizëm të gjithë qytetarëve pa dallim, e mos të kthehet si instrument politik i pushtetit”.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i verës së vitit 2023, i konfirmoi në tërësi pretendimet tona, ndërsa Kuvendi me këtë rast, ishte i obliguar që brenda gjashtë muajsh ti adresoj të gjitha shkeljet. Sot, rreth një vit e gjysmë pas, jo vetëm që dështuan ta përgatisin më kohë ligjin e ri, por akoma më keq, i përseritën një pjesë të shkeljeve në të njëjtën mënyrë. Prandaj, kontestimi i këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese nuk është rastësi dhe paraqet, njëkohësisht, edhe një dëshmi të angazhimit tonë konsistent për mbrojtjen e vlerave dhe rendit kushtetues”, ka shkruar Tahiri.