Edhe për tre muaj vazhdon afati për legalizimin e armëve
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) është mbajtur sot një konferencë për media për vazhdimin e afatit për legalizim të armëve.
Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme respektivisht Qeverisë së Republikës së Kosovës për vazhdimin e fazës së dytë të kampanjës për legalizimin e armëve do të zgjasë deri më 17 shtator.
Koordinatori Nacional i Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla të Lehta dhe të Eksplozivëve, njëherësh zëvendësministër i MPB-së, Izmi Zeka, ka thënë se qëllimi i këtij vendimi është që bashkërisht të inkurajojmë të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që gjenden për pushime në Republikën e Kosovës për të shfrytëzuar mundësinë për legalizimin e armëve.
Zëvendësministri Zeka vuri në dukje se Kosova ka bërë progres në kontrollin e armëve, mirëpo ende mbetet sfidë kontrollimi i armëve.
Ai ka theksuar se përdorimi i armëve të vogla dhe të lehta paraqet një kërcënim për qytetarët dhe jetën e tyre.
Në kampanjën e parë për legalizimin e armëve ka pasur rreth 1 428 kërkesa për legalizim, rreth 682 pëlqime të lëshuara dhe shtatë kërkesa për de-aktivizim.
Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1 300 armë respektivisht në vitin 2016 ka konfiskuar 1 292 armë, në vitin 2017 ka konfiskuar 1211 armë ndërsa në vitin 2018 ka konfiskuar 1 473 apo gjithsej 6 176 konfiskime dhe legalizime.
/Epoka e re/