Dhe siç vë në pah shkrimi i CNN, përcjell Telegrafi, Ukraina praktikisht nuk ka marinën e saj, por inovacioni teknologjik, guximi dhe paaftësia ruse i kanë dhënë asaj një avantazh të fuqishëm në pjesën më të madhe të Detit të Zi.
Kështu, tani ajo ka shkatërruar ose çaktivizuar më shumë se 20 anije detare ruse në rajon, një e treta e totalit të flotës ruse të Detit të Zi.
Kjo ka siguruar një korridor detar që i lejon Ukrainës të eksportojë pjesën më të madhe të grurit dhe prodhimeve të tjera nga portet si Odesa – një përfitim ekonomik në një kohë kur ekonomia është goditur nga konflikti.
Kujtojmë se në korrik të vitit të kaluar, Rusia u largua nga Iniciativa e Detit të Zi, e ndërmjetësuar nga OKB-ja, e cila i kishte lejuar Ukrainës një kalim të sigurt për të transportuar 31.5 milionë tonë drithë dhe produkte të tjera ushqimore nga portet e saj në tregjet botërore.
Marrëveshja kishte zgjatur pak më pak se një vit.
Pas kësaj, ukrainasit deklaruan një “Korridor Humanitar të Detit të Zi” të njëanshëm për transportin tregtar dhe shtuan përdorimin e dronëve detarë dhe sulmeve me raketa kundër flotës ruse të Detit të Zi.
Korridori krijon qasje në bregdetin ukrainas përpara se të arrijë në ujërat e dy shteteve të NATO-s, Rumanisë dhe Bullgarisë.