Edhe punëtorët e sektorit privat që punojnë në spitale kërkojnë shtesa në paga
Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka kërkuar të enjten që edhe punëtorëve të sektorit privat që janë të angazhuar në spitale gjatë pandemisë, tu ndahen shtesa në paga.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka deklaruar se po u bëhet diskriminim kësaj kategorie të punëtorëve, derisa ka thënë se do të këmbëngulin për realizimin e kërkesave të tyre.
“E gjithë kjo marrëzi e qeverisë për dallimin dhe diskriminimin që po bën për pagat shtesë ndaj punonjësve që janë në front të parë me Covid-19 nuk duhet të ndodhë, pasi nuk përkon me sloganin parazgjedhor ‘Krejt dhe Drejt’”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, për hir të situatës së krijuar nga Covidi, kjo sindikatë ka paralajmëruar se nuk do të organizojë protestë para datës 30 shtator.