‘Edhe Qeveria e ardhshme me shumë ministra e zëvendësministra’
Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, që tashmë ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, kishte më së shumti ministri nga të gjitha qeveritë e pasluftës.
Kabineti në largim, kishte 21 ministri, pesë zëvendëskryeministra dhe mbi 80 zëvendësministra, e që të gjithë këta zyrtarë, kanë të punësuar edhe numër të madh të këshilltarëve të tyre politikë, shoferë si dhe të punësuar të tjerë.
Kjo qeveri që rriti numrin e ministrive, krijoi një projektligj, që synonte zvogëlimin e tyre. Mirëpo, Haradinaj dha dorëheqje e projekt-ligji ka mbetur vetëm në letër dhe nuk është proceduar.
Sipas Besnik Tahirit, kryesues i Komisionit për hartimin e projekt-ligjit, gjithçka është gati dhe vetëm duhet të procedohet për votim. Tahiri ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se duhet të ketë vullnet politik nga ekzekutivi i ardhshëm, që ky projektligj do të miratohet.
“Ligji është i përfunduar, ligji është gati dhe procesi i punës është gjithçka e dokumentuar në raport. Është vetëm vullneti politik që ne e kemi pasur, dhe shpresoj në qoftë se vijmë ne e kalojmë shpejt, në qoftë se jo, është dikush tjetër, atëherë do të ketë vullnet të shtyhet përpara”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas Tahirit, i cili gjatë kësaj qeverisjeje, ishte edhe Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, projekt-ligji parasheh zvogëlimin e ministrive.
“Ajo që kemi është se kemi parë se diku 10 apo 11 ministri do të duhej të kishte secili shtet dhe pastaj mbi të, të ndërtohet në bazë të specifikave. Këtë e kemi bërë dhe kemi ardhur te numri 15 i ministrive, sikurse e kemi përcaktuar saktë, asnjë ministri nuk mund të ketë më shumë se dy zëvendësministra dhe njëkohësisht (qeveria) dy zëvendëskryeministra”, ka thënë Tahiri.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/qeveria-ministra-zevendesministra/30109434.html.