KQZ-ja vendos të rinumërohen edhe 155 vendvotime për kuvende komunale

10 nëntor 2021 | 14:57

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar rekomandimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërimin edhe të disa kutive që u takojnë zgjedhjeve për kuvende komunale. Kështu ka vendosur PZAP i cili ka miratuar ankesat e një numri të caktuar të kandidatëve për kuvende të ndryshme komunale. “KQZ-ja më 9 dhe 10 nëntor ka pranuar disa vendime të tjera nga PZAP-i.

Në bazë të këtyre vendimeve kërkohet nga KQZ-ja që të bëhet rinumërimi i votave të kandidatëve në një numër të caktuar të vendvotimeve. Numri i vendvotimeve të rregullta që do të rinumërohen është rreth 155 vendvotime të rregullta që u takojnë komunave të ndryshme, PZAP-i ka vendosur edhe për rinumërimin e dhjetë kutive të votave me postë. Rekomandohet që të bëhet rinumërimi i plotë i këtyre”, ka thënë Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së.

Ai ka treguar edhe numrin e përgjithshëm të vendvotimeve që do të rinumërohen sipas vendimit të PZAP-it, duke përshirë këtu ato të ditës së hënë dhe ato për të cilat u vendos të mërkurën.

“Me datën 8 janë 437 vendvotime të rregullta përfshirë edhe votat me kusht dhe postë që 467 kuti të votimit që duhet të rinumërohen sipas vendimeve të ardhura më 8 nëntor. Me datën 9 nëntor kanë ardhur 138 vendime për rinumërim të vendvotimeve të rregullta të komunave të ndryshme dhe 11 kuti të votimit të votave me postë. Me datën 10 nëntor janë gjithsejtë 14 vendvotime që në total bëjnë 589 vendvotime të rregullta, duke përfshirë edhe 23 kuti të votave me postë dhe 18 kuti të votave në kusht, gjithsejtë 630 kuti, duke përkthyer në përqindje 23,78 për qind e kutive që duhet të rinumërohen sipas vendimit të PZAP-it”, ka thënë Burim Ahmetaj.

Këto vendvotime u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës: Drenas, Viti, Istog, Shtime, Vushtrri, Klinë, Prishtinë, Pejë, Lipjan, Prizren, Gjilan, Malishevë, Deçan, Skenderaj, Kaçanik dhe Fushë-Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta Blic e ka siguruar sondazhin e realizuar nga UBO…