Edhe sa 10 milionë të tjerë do t’i marrin nga taksat tona?!
Reagim i KMDLNj-së
Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kryesuesi i bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, ka thënë se këtë muaj kanë ndërprerë ndarjen e mjeteve për katër komunat veriore shkaku se ka përfunduar marrëveshja në mes të KOSTT-it dhe Qeverisë së Kosovës. Po gjatë këtij raportimi, Mehmeti ka thënë se nga viti 2017 për pagesën e rrymës për katër komunat veriore janë paguar 27 milionë e 806 mijë euro, 10 nga Qeveria e Kosovës dhe mbi 17 milionë nga KOSTT-i. Para kësaj periudhe, që nga përfundimi i luftës paguesit e rregullt të faturave të rrymës ishin penalizuar duke ua vjedhur paratë përmes kryerjes së faturave për t’i mbuluar shpenzimet e rrymës së shpenzuar për katër komunat veriore. Pas reagimeve të shumta të KMDLNj-së, Avokatit të Popullit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese ishte ndërprerë fryrja e faturave sikur që ishte premtuar se konsumatorët që kanë paguar faturat me rregull e që janë dëmtuar , do të kompensohen sipas një dinamike e cila asnjëherë nuk u vërtetua nëse po zbatohet sepse nuk kishte mundësi verifikimi.
Gjykata Themelore mori vendim që të mos paguhet rryma për komunat veriore sepse është në kundërshtim me ligjin dhe urdhëroi që konsumatorët të zhdëmtohen e që nuk ndodhi sepse KOSST-i ka bërë ankesë në Gjykatën Supreme sikur që ka vazhduar ta paguajë rrymën për katër komunat veriore, jo më me fryrje të faturave, por me para të gatshme e që merren nga xhepi (taksat) e qytetarëve të Kosovës që përbën diskriminim flagrant dhe tjetërsim të mjeteve të qytetarit të Kosovës, pa pëlqimin e tij dhe në kundërshtim me vullnetin e tij. Për shtator, tetor dhe nëntor të vitit 2021 KOSTT-i ka paguar 10 milionë euro për katër komunat veriore dhe tash paska ndërprerë ndarjen e mjeteve, KMDLNj-ja mendon vetëm përkohësisht për faktin se Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete shtesë për këtë pagesë si edhe mbi 150 000 euro për të paguar faturat e ujit për këto komuna. Në të njëjtën kohë shumë paguesve të rregullt të energjisë elektrike, ujit dhe shërbimeve tjera, nëse vonohen me shlyerjen e detyrimeve, ua ndërprenë rrymën, ujin sikur që ua dërgojnë rastet të përmbaruesit privatë, ndonëse janë pensionistë apo në asistencë sociale duke ua marrë edhe ato pak para të mbetura nga llogaritë.
Kjo, sipas KMDLNj-së paraqet shkelje të rëndë të drejtave të njeriut si dhe diskriminim të lakuriquar në baza etnike. Në një shtet ku, si vlera demokratike dhe qytetare proklamohen barazia para ligjit dhe politika e mosdiskriminimit , të ndodhë kjo që po ndodhë me faturat, është tepër e pamoralshme, e papranueshme dhe e dënueshme. Është e vërtetë se Qeveria aktuale e Kosovës, këtë dukuri diskriminuese e ka trashëguar nga qeveritë paraprake, mirëpo nuk mund dhe nuk duhet ta përdorë si arsyetim për mosveprim ndaj këtij aparteidi të drejtave civile dhe sociale që ua bënë qytetarëve të saj. Është e paturpshme, cinike dhe skajshmërisht e pamoralshme deklarata e një zyrtareje të lartë të shtetit se: “me këto fatura po e paguajmë sovranitetin për atë pjesë të Kosovës…”, aq më parë që pikërisht përfituesit e këtij diskriminimi janë mohuesit më të mëdhenj të këtij sovraniteti, duke i shërbyer një shteti skajshmërisht armiqësor ndaj shtetit të Kosovës.
A është e drejtë dhe e moralshme të shpërbleni mohuesit e sovranitetit të Kosovës duke ua vjedhur paratë kontribuuesve (me vuajtje, gjak dhe jetë), ndërtuesve dhe mbrojtësve të sovranitetit të Kosovës?! Asnjë shtet dhe vend normal nuk do ta lejonte këtë e lëre më ta bëjë këtë. Ministrja Rizvanolli po thërret, me të drejtë që të kursehet energjia elektrike dhe të përdoren alternativat tjera për ngrohje shkaku se ka mungesë të rrymës në treg sikur që deri tani është pesëfishuar çmimi i furnizimit të rrymës nga importi e që ka tendencë të rritet edhe më shumë.
Madje, sipas disa optimistëve, në prill të vitit 2020 do të kemi vetëm 264 për qind të rritjes së çmimit të energjisë elektrike në ndërkohë që pagat, pensionet, shtesat sociale, bursat për studentë dhe të tjera mbesin të njëjta apo do të kenë rritje simbolike. Rrënimi i shëndetit social dhe ekonomik i pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës po rritet në mënyrë galoponte, prandaj edhe grevat dhe protestat janë të pashmangshme. Në këtë kontekst, Rrahmani ka të drejtë! KMDLNj-ja e përkrahë kërkesën e ministres Rizvanolli për kursim të energjisë elektrike vetëm nëse të njëjtat masa përdoren edhe në katër komunat veriore.
Nuk është në rregull që në emër të kursimit të energjisë elektrike, pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës t’i fërkojnë duart apo të ngrohen sipas metodës indiane kurse, në emër të sovranitetit, mohuesit e sovranitetit të shpenzojnë rrymë, pa asnjë kufizim dhe ne të paguajmë për ta. Qeveria aktuale e Kosovës ka fituar 50 për qind të votave duke premtuar se të gjitha veprimet e dëmshme të qeverive paraprake do t’i anulojë e që është mirëpritur edhe nga ata që nuk e kanë votuar këtë qeveri. Qeveria Kurti 2 e ka për detyrim ta ndërpresë këtë praktikë diskriminuese të ndarjes së mjeteve për të paguar rrymën, ujin dhe shërbimet tjera për katër komunat veriore dhe të kërkojë përgjegjësi për ata që e kanë përligjur këtë diskriminim dhe shkelje flagrante të të drejtave të njeriut në baza etnike.
Qeveria e Kosovës duhet të bëjë diskriminim pozitiv vetëm duke u mbështetur në gjendjen ekonomike të qytetarëve që do të liroheshin nga pagesa apo do të kishin lehtësime të pagesave, pavarësisht përkatësisë kombëtare, moshës, gjinisë, bindjeve fetare dhe politike dhe në asnjë mënyrë, siç e kanë bërë të gjitha qeveritë përfshirë edhe Qeverinë Kurti 2, në bazë të imponimeve politike. Të drejtat e njeriut janë të drejta universale dhe nuk ndahen në bazë të përkatësive etnike. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk njeh asnjë diskriminim në baza etnike.
KMDLNj-ja thërret deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngritën kundër këtij diskriminimi në baza etnike sepse për këtë e kanë kërkuar votën dhe në emër të kësaj e kanë fituar mandatin. Deputetët e Kosovës përveç se përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, e kanë për detyrim t’i mbrojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës, pa asnjë dallim dhe pa asnjë diskriminim. A po e bëjnë këtë? Sigurisht se jo apo jo në masën e duhur.