Edhe serbët e veriut janë për hapjen e Urës së Ibrit
Përpos vendimit që e ndërmorën në maj të 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës nuk mund të bëjë diçka tjetër përpos që të pres hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e vetura. Ky është qëndrimi që kanë udhëheqësit dhe disa nga anëtarët e asamblesë komunale. Kur do të ndodhë hapja e urës nuk dihet, por sipas gazetarit serb Branislav Kërsiq ajo duhet të ndodhë menjëherë, sepse pro kësaj janë edhe qytetarët madje edhe nga komuniteti serb.
Në shekullin 21 në kontinentin e Evropës ekziston një urë që nuk i bashkon njerëzit, por që simbolikisht i ndanë në dysh.
Përpos rrjedhës së lumit Ibër, për gati 20 vjet kjo urë ka qenë simbol i pengimit të qarkullimit nga të dyja anët e Mitrovicës.
Për ta hapur këtë urë janë bërë qindra përpjekje madje edhe me protesta të dhunshme, por pa sukses.
Në prill të 2023-s, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës Veriore kishte marrë vendim për hapjen e urës por pa u bërë ende realitet.
Tek kjo çështje vëmendja u rikthye pas një deklarate nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili deklaroi se hapja e urës është çështje kohe dhe mund të ndodhë shumë shpejt.
Për temën u fol edhe në mbledhjen që u mbajt të premten në Kuvendin Komunal.
Vëmendja e mediave ishte e madhe, por përpos në nivel të diskutimeve në seancë nuk doli diçka tjetër.
“Po ne e kemi kryer obligimin e kemi sjellë vendimin edhe Policia e Kosovës ka dalur me një deklaratë edhe ka qenë interesimi shumë i madh nga mediat edhe kam kërku prej delegatëve dikush të prezanton për vendimin që e kemi pru. Edhe unë e kam përkrahur vendimin…”, ka deklaruar Nexhat Ugljanin, Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriore.
Ugljanin thotë se adresa për përgjigjen se kur hapet ura, është Ministra e Brendshme dhe ajo e Pushtetit Lokal.
Megjithatë çështja e urës ndër vite është lidhur me situatën politike e që gazetar nga komuniteti serb mendojnë se tashmë ka ardhur koha që të hiqet pengesa e betonit.
“Do të thotë ne jemi tash mua më duket është momenti kryesor që këtë simbol të trazirave, simbolin e konflikteve duhet me e rrëzu. Që do të thotë: pyetjet: sot, menjëherë?. Jo sot, dje. menjëherë duhet me e qel urën, sepse në qoftë se e kemi një barrierë më pak edhe brenda trunit tonë e kuptojmë më shpejt se së bashku jemi kosovarët.”, ka deklaruar Branislav Kërstiq, gazetar.
Kërstiq thotë se kundër hapjes së urës janë vetëm radikalët, ndërsa për qytetarët e zakonshëm beson se mbi 50% e tyre janë për hapjen e urës. Gazetari serb beson se hapja e urës është çështje javësh, dhe nuk duhet të diskutohet në dialog, por pa e anashkaluar qëndrimin e faktorit ndërkombëtar.
Përpos diskutimet për urën e Ibrit vëmendjen e mori edhe një vendim i Ugljaninit i cili kërkoi që mediat të largohen nga seanca që vazhdoi gjithë ditën.
Para mediave ai u arsyetua se në seancë kishte një ndërhyrje desktruktive nga një anëtar i një partie lokale dhe në mënyrë që të mos acarohet situata më shumë me prani të mediave, i largoi ato nga salla.
Përjashtimin e mediave nga kjo seancë e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët përmes një reagimi kanë kërkuar transparencë dhe reflektim nga Kryesuesi dhe kryetari, Erden Atiq.