Edhe shqiptari i parë që u kthye në veriun e Mitrovicës del në përkrahje të Bedri Hamzës
Ali Kadriu nga lagjja “Kroi i Vitakut”, i cili ishte shqiptari i parë që ishte kthyer në veriun e Mitrovicës dhe kishte nisur ndërtimin e shtëpisë në truallin e tij, ka dalë hapur në përkrahje të Bedri Hamzës.
Në një video të publikuar nga vetë Hamza, Kadriu që u kishte rezistuar pengesave të shumtave nga serbët e veriut për të ndërtuar shtëpinë në këtë lagje, ka thënë se Bedri Hamza është njeriu i duhur për Mitrovicën.
“Ishalla Bedria fiton, e merr, është njeriu i duhur për Mitrovicën, është intelektual, ka qenë guvernator i suksesshëm, ka qenë ministër i suksesshëm. Edhe e përgëzoj, ishalla e kemi përkrahjen prej tij dhe arrijmë e realizojmë qëllime të përbashkëta, se këto nuk janë qëllime vetëm të miat, por janë të Atdheut, të Kombit dhe njerëzve që kanë ra për këtë tokë, se unë vëllain e kam dëshmor të Kosovës…
Atdheu është i të gjithëve. Atdheu me inate nuk bëhet. Këtu kalaja u ngritë. Me këqyr tash që shqiptarët kanë inate, me këqyr edhe me e rrëzu, nuk rrëzohet. Se ka individë dhe ka shqiptarë që do ta ngrisin, se dem baba dem kjo tokë shqiptare është e jona dhe nuk do ta lëshojmë”, shprehet Kadriu.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, Kadriun e ka quajtur shqiptar të madh.
“Ali Kadriu është shqiptar i madh. Si simbol i guximit, qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë mitrovicase, ai ndër të parët është kthyer në tokën e tij në pjesën veriore të Mitrovicës. Të gjithë së bashku për Mitrovicën që duam, me vendosmëri, me përkushtim dhe me punë të pandalshme!”, ka shkruar Hamza.