Edhe sonte protestohet me tenxhere

20 mars 2020 | 11:16

Edhe sonte është planifikuar të ketë protestë me lugë e tenxhere prej orës 20:00. “Replikë”, e cila e inicioi protestën e djeshme, kërkon që qytetarët sërish sonte të dalin në ballkon e dritare dhe të bëjnë zhurmë.

Grupi i aktivistëve të cilët thonë se janë apartiakë, i quajtur “Replikë”, njofton se edhe sot vazhdon protesta me tenxhere e tiganë e nisur mbrëmë si revoltë e qytetarëve të Kosovës ndaj përçarjeve në skenën politikë, në situatën e krijuar nga pandemia COVID 19.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës kurrë nuk kanë qenë më të revoltuar se tash, andaj ne do të vazhdojmë me natën e dytë të #protestojmënballkon duke iu drejtuar skenës politike se qytetarët dhe përgjegjësia publike duhet të jetë interesi parësor dhe i vetëm. Kërkojmë që krerët e koalicionit qeverisës, presidenti dhe partitë opozitare, të bashkohen për mobilizim të situatës së krijuar nga pandemia COVID 19 dhe jo të fokusohen në interesat partiake dhe personale të tyre”, thuhet në njoftim.

“Replikë” u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, në qytete e në fshatra, që për pesë minuta të dalin në ballkon ose në dritare dhe të bëjnë zhurmë me tenxhere apo lugë. “Më 20 mars, përmes daljes të secilit prej neve në ballkon ose dritare në orën ‪20:00 për 5 minuta, në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës, po krijojmë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si (çelësa ose tenxhere dhe lugë), për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucionalë në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas në Kosovë”, është thënë në thirrjen e tyre të shpërndarë në rrjete sociale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjendja e jashtëzakonshme e krijuar në Kosovë pas rasteve të…