Edhe sot mund të aplikoni për subvencionim të efiçiencës së energjisë
Ministria e Ekonomisë (ME) njofton të gjithë qytetarët se sot, më 9 dhjetor 2022 në ora 23:59 përfundon Faza e dytë e thirrjes për subvencion të efiçiencës së energjisë.
Në Fazën e dytë për subvencion të drejtë aplikimi kanë të gjithë aplikuesit që janë kualifikuar në Fazën e parë, pra që i kanë plotësuar kriteret në thirrjen publike të ME-së për subvencionim të efiçiencës së energjisë.
Sqarime shtesë:
Faza II
Pas kualifikimit në Fazën e parë qytetarët duhet të blejnë pajisjen e përzgjedhur sipas kritereve të specifikuara në thirrje, dhe më pas mund të aplikojnë për Fazën II përmes platformës e-Kosova që t’ju mundësohet përfitimi nga ky subvencion, duke ngarkuar dokumentet në vijim:
- Faturën e rregullt apo kuponin fiskal të blerjes së pajisjes (fatura duhet të jetë jo më e vjetër se nga data e shpalljes së thirrjes së parë të datës 06.10.2022);
- Vërtetimin e xhirollogarisë bankare apo kopjen e kartelës bankare;
- Fotografi të pajisjes së blerë ose instaluar sipas kritereve të specifikuara në thirrje (pajisja duhet të jetë e instaluar dhe e gatshme për inspektim nga data 10.01.2023);
- Fotografi të numrit serik të pajisjes;
- Fotografi të etiketës së performancës së pajisjes (opsionale për stufa individuale me biomasë);
- Për nënat vetushqyese për përfitim të subvencionit prej 90% për stufën individuale me biomasë dhe 60% për pompën termike ajër-ajër inverter (kondicioner/ klimë efiçiente) kërkohet të ngarkohet një dëshmi që konfirmon statusin e nënës vetushqyese.
- Marrëveshja për Subvencionim duhet të shkarkohet në ueb faqen e Ministrisë së Ekonomisë, e cila pas plotësimit në mënyrë elektronike (direkt në dokument në hapësirat e hijezuara) duhet të ngarkohet nga ana e Palës në platformën e-Kosova në formatin (PDF), në kuadër të Fazës II të aplikimit. Marrëveshjen mund ta gjeni në këtë link: https://me.rks-gov.net/sq/shpallje
Faza II – Aplikimi nga përfituesit e skemës sociale (kategoria I & II)
Për aplikuesit që janë përfitues të skemës sociale (kategoria I & II), faza II është e ndarë në dy hapa:
Hapi 1: Aplikanti duhet të ngarkojë në platformën e-Kosova, dokumentet në vijim:
- Profatura – do të mundësohet vetëm për stufat individuale me biomasë dhe pompën termike ajër-ajër inverter (kondicioner/ klimë efiçiente);
- Vërtetimin e xhirollogarisë bankare apo kopjen e kartelës bankare;
- Dëshmi që vërteton mbështetjen e skemës sociale (kategoria I & II).
Për përfituesit e skemës sociale, ME do të transferojë mjetet financiare të subvencionit para blerjes apo instalimit së Stufës individuale me biomasë ose Pompës termike ajër-ajër inverter (kondicioner/ klimë efiçiente).
Hapi 2: Pas pranimit të subvencionit dhe blerjes së pajisjes duhet të përcillen përmes email adresës: [email protected] dokumentet në vijim:
- Faturën e rregullt apo kuponin fiskal të blerjes së pajisjes (fatura duhet të jetë jo më e vjetër se nga data e shpalljes së thirrjes së parë të datës 06.10.2022);
- Fotografi të pajisjes së blerë ose instaluar sipas kritereve të specifikuara në Thirrje; (pajisja duhet të jetë e instaluar dhe e gatshme për inspektim nga data 10.01.2023);
- Fotografi të numrit serik të pajisjes;
- Fotografi të etiketës së performancës së pajisjes (opsionale për stufa individuale me biomasë).
Ministria e Ekonomisë fton të gjithë qytetarët që janë parakualifikuar në Fazën e I-rë, që brenda afatit të përfundojnë të gjitha procedurat e cekura më lartë dhe në thirrjen publike në mënyrë që të jenë përfitues të subvencionit.