Edhe sot shkurtime të energjisë, KEDS-i tregon sa zgjatin
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka deklaruar dje në Frontal, se edhe gjatë ditës së sotme do të ketë reduktime të energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas Buzhalës për këtë kanë marrë urdhëresë nga KOSTT-i.
“Ne kemi marrë urdhëresë që edhe nesër të aplikojmë reduktime nga ana e operatorit të tregut KOSTT. Është e çuditshme kjo pasi që ne kemi siguruar gjithë energjinë elektrike që është e nevojshme për mbulim të kërkesës, por çfarë ka ndodhur me importimin e rrymës nga KEK-u nuk e dimë”, ka thënë Buzhala, në emisionin “Frontal”, në T7.
Buzhala deklaroi se sa i përket KEDS-it energji elektrike ka dhe se nuk do të duhej që të kishte reduktime.
Ai deklaroi se janë në fazën e sqarimit të rrethanave.
“Po besoj që janë dy orë. Nuk besoj që shkojnë mbi dy orë. Pjesa më e madhe e energjisë vetëm sa është siguruar. Ne e kemi siguruar të gjithën. Sa na përket neve nuk kemi nevojë që të bëjmë reduktime por ajo pjesa nuk e di se çfarë ka ndodhur. Jemi në procese të sqarimit të rrethanave sepse këto çështje duhet të adresohen”, ka thënë ai.