Edhe sot, si një javë rresht, Rusia regjistroi mbi 10 mijë të infektuar nga Covidi
Zyrtarët shëndetësorë në Rusi njoftuan se gjatë 24 orëve të kaluara në këtë shtet janë shënuar 10 028 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar në 242 271 numrin e përgjithshëm të të prekurve.
Këtë javë Kremlini vendosi për lehtësimin e masave kufizuese, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të rasteve, që e ka vendosur Rusinë në vendin e dytë në nivel botëror, pas Shteteve të Bashkuara.
Shumica e rasteve të reja u shënuan në Moskë. Si rrjedhojë e kësaj gjendjeje, kryetari i kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin, ka marrë vendim që qyteti të qëndrojë në karantinë deri në fund të majit, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.
Pavarësisht shumë rasteve të reja, shkalla e vdekshmërisë në Rusi është shumë më e ulët në krahasim me vendet e Evropës Perëndimore. Gjatë 24 orëve të kaluara u shënuan 96 raste fatale dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në 2 212.
Sipas autoriteteve, deri më tani për koronavirus në Rusi janë testuar gati gjashtë milionë persona. Numrin e vogël të vdekjeve organet shtetërore e arsyetojnë me masat kufizuese dhe karantimin e personave të infektuar.
Megjithatë, kritikët dyshojnë se numri i vërtetë i viktimave është më i lartë sepse autoritetet po i regjistrojnë shumë vdekje të lidhura me virusin si të shkaktuara nga sëmundje të tjera.