Edhe stadiumi në Guinea-Bissau do ta mbajë emrin ‘Pele’
Qeveria e Guinea-Bissau ka njoftuar se stadiumi në qytetin Bafata do të mbajë emrin e Pele.
Vendimi ishte në përgjigje të sugjerimit të fundit të Gianni Infantino që 211 shoqatat anëtare të FIFA-s të emërtojnë secila të paktën një stadium apo vend futbolli sipas legjendës braziliane.
Vendimi është marrë gjatë një seance të Këshillit të Ministrave, të kryesuar nga presidenti Umaro Sissoco Embalo.
“Si shprehje e njohjes publike të statusit të tij si mbreti i futbollit botëror, Këshilli i Ministrave ka vendosur që stadiumit rajonal të Bafata-s do t’i jepet emri Rei Pele në përgjigje të apelit të Presidentit të FIFA-s”, është thënë në njoftim.
Ndërsa presidenti i FIFA-s Gianni Infantino ka thënë: “Mirënjohja ime më e thellë shkon për presidentin Umaro Sissoco Embalo, qeverinë e Guinea-Bissau dhe Federatën e Futbollit Bissau-Guinean për nderimin e kujtimit të mbretit të përjetshëm duke e riemërtuar Estadio da Rocha në Bafata në stadiumin Pele”.
Cabo Verde ka thënë se planifikon të emërojë Estadio Nacional sipas Peles, i cili ndërroi jetë më 29 dhjetor. Në Kolumbi, stadiumi Bello Horizonte në qytetin e Villavicencio do të mbajë emrin e ikonës braziliane.
Gianni Infantino e ka bërë sugjerimin e tij, derisa kishte ndjekur ceremoninë përkujtimore për Pele në Santos, Brazil, më 2 janar. Ai ka thënë se do të siguronte që gjeneratat e ardhshme në mbarë botën të dinin për Pelen dhe atë që ai bëri për futbollin.
Stadiumi është shtëpia e Sporting Clube do Bafata që luan në ligën më të lartë të kampionatit kombëtar të Guinea-Bissau.