Edhe Suhareka vendoset në karantinë
Ministria e Shëndetësisë e ka shpallur zonë karantinë edhe Komunën e Suharekës.
Ky vendim u mor pas konfirmimit të rastit të dytë me koronavirus në këtë komunë.
Lajmin e ka bërë me dije kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.
“Komuna e Suharekës shpallet zonë karantinë. Ndërsa fshatrat Semetisht dhe Bllacë shpallen Vatra të përhapjes së Infeksionit”, ka shkruar Muharremaj.
Ai ka theksuar se me këtë masë ndalohen hyrjet dhe daljet në Komunën e Suharekës, po ashtu brenda territorit të komunës ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 17:00 deri orën 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale etj, sipas vendimit të paraqitur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
/Epoka e re/