“Edhe sytë e mi atë ngjyrë kanë”, libër me begati stilistike

29 dhjetor 2020 | 13:58

“Edhe sytë e mi atë ngjyrë kanë” titullohet libri i Valbona Hysenaj Miftari i cili sot ka dalë nga shtypi nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”. Sipas redaktorit të librit, Adem Gashi, janë dy elemente që në krye të herës të bien në sy kur lexon lirikat e Valbonës. “E para, shënimet e datave në fund të secilës poezi. Dhe, e dyta, kultura gjuhësore me begatinë e figurave stilistike”, ka shkruar Gashi. Libri ka këtë përkushtim: “Për Ty, Mamaja ime e shtrenjtë, që askush nuk diti aq mirë si ti ta përkthejë çdo fjalë në dashuri. Ti ishe për mua forca magjike për të ecur përpara dhe për të mos u ndalur asnjëherë. Që nga dita që ike në amshim malli për Ty më rëndon sikur mali në shpinë. Për Ty, Babai im, që besove gjithmonë në mua edhe kur ndihesha e rënduar. Ti më mësove si ta zgjedh derën e duhur që shpie te lumturia e suksesi. Ti vazhdon të jesh krahu im i fortë në çdo hap që bëj. E megjithatë, nuk ka vargje e as poezi që mund të shpreh gjithë dashurinë dhe mirënjohjen për Ju!”

Valbona Hysenaj Miftari në fushën e poezisë ajo paraqitet në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe gjithnjë deri në ditët tona. Sipas redaktorit të librit, të habit vazhdimësia dhe stabiliteti i verbit poetik përgjatë tridhjetë vjetëve, pa rënie dhe me një gradacion të lakmueshëm ngritjeje në planin e formësimit estetik dhe përmbajtjesor. “Po kaq me pjekuri dhe pedanteri vjen edhe në planin gjuhësor, me strukturë kompakte të frazës, me saktësi përcaktimi për idetë dhe motivet, me qartësi deri në shkëlqim kristalor.

E këtillë rezulton poezia e saj (gjithnjë po flasim për publikimin e parë në nivel libri) edhe në ritmin, kur e kur rimën, edhe mesazhin humanist, pa lënduar harmoninë artistike.

Mjeshtëria e saj në pikturimin e peizazheve poetike ruan me ngulm tonalitetin e koloritit të vendlindjes, për aq sa vjen e bëhet shenjë identifikuese e Valbonës. E pashmangshme gjithsesi edhe plaga e luftës, po përtej gjëmës e vajtimit, ajo mbruhet me heroizëm. E pra, ngjyra e syve të saj s’mund të jetë tjetër pos e origjinës dhe e autoktonisë përkatëse të Valbonës”, ka vlerësuar Gashi.

Shënime për autoren

Valbona Hysenaj Miftari lindi më 24.12.1974 në Pejë. Që nga bankat e shkollës fillore, e sidomos në gjimnaz, shquhej për shkrimet në poezi dhe në prozë, të cilat atëbotë i botoi në gazetat dhe revistat e kohës. Përveç shkrimeve pëlqente shumë profesionin e gazetarisë, por zgjodhi rrugën e shërimit të njeriut.

Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme e përfundoi në Prishtinë, ndërsa specializoi për psikiatri dhe psikoterapi në Universitetin e Cyrihut. Profesionin e psikiatres, gjegjësisht të kryemjekes në Departamentin e Sëmundjeve të Varësisë, e ushtron me pasion të madh. Po ashtu, është aktive për shtjellimin e shumë temave sociale si dhe nga lëmi i shëndetit mendor, të cilat i shkruan me qëllim vetëdijesimi, e sidomos për të kontribuar në zbutjen e stigmës në psikiatri.

Është e angazhuar në projekte të ndryshme për trajtimin e varësive, projekte këto të deleguara nga Ministria e Shëndetësisë e Zvicrës (BAG).

Libri tjetër i saj me tema kryesisht psikologjike-psikiatrike do të dalë së shpejti nga shtypi.

Valbona, po ashtu, ka në dorëshkrim edhe një roman si dhe një libër me tregime.

Është aktive në kryesinë e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër si dhe në kryesinë e Shoqatës së Mjekëve nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Është e martuar, nënë e dy vajzave 13 dhe 11 vjeçe.

Jeton në Cyrih të Zvicrës.

 

MBAJE MEND

 

Ngado që të shkosh

unë do të fle dhe do të zgjohem

në ëndrrën tënde.

 

Më kot do ta mbyllësh

portën e zemrës,

do të hyj pa trokitur.

 

Më kot do të mundohesh

t’i harrosh sytë e mi.

 

A harrohet qielli përmbi?

 

Mbaje në mend,

plaga ime

është zor të jesh burrë!

___________

(Tetor 2004)

 

MONOLOG I NJË NËNE

 

Edhe i madhi Zot

u ngrit kundër meje.

 

Ma mallkoi qumështin,

ninullat.

 

Biri im, shpirti im,

ku prehesh në këtë natë memece!?

 

Më prit se jeta më është skëterrë

pa ty, bir!

 

Hasreti i nënës.

_____________

(Qershor 2006)

 

IN MEMORIAM

(Astrit Deharit)

 

Ah, seç e mbuloi rënkimi këtë natë Kosove,

Seç e shitoi Atdheun kjo vdekja jote!

Tirania vjen e rritet, vegjëlia ka rënë në pikëllim,

Rinia pa shpresa të qan me ngashërim,

I trishtë ky lajm, i trishtë i nesërmi agim.

Ti i dhe shumë Atdheut, o biri i Atdheut jetim!

 

Deri kur s’do t’i ndalet Kosovës trishtimi,

Edhe nëntori i ftohtë si marsi i gjakut të ngrirë,

Heshtja ra pa t’u shëruar dhimbjet për tët vëlla.

Atdheut ti iu ktheve, po ai ty ç’të dha?

Rënkimi i Nënëzezës na e plagos këtë “LIRI”,

I pati dy drita sysh, sot mbeti me duar në gji.

_____________

(6 nëntor 2016)

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se është…