Edhe tenisi i rikthehet normalitetit në Shqipëri
Nga data 18 maj, qeveria shqiptare lejoi zhvillimin e të gjitha stërvitjeve sportive në ambjente të hapura, por futbolli nuk ishte i vetmi sport që ju rikthye fushave por gjithashtu dhe tenisi.
Pas disa javëve heshtje, fushat e shoqatës së tenisit Tirana pranë shallvareve u pushtuan sërish nga praktikuesit e këtij sporti duke rikthyer gjallërinë jo vetëm në këtë zonë por dhe në kryeqytet.
Ashtu si dhe në cdo sport tjetër, zbatimi i protokollit të higjenës ishte i nevojshëm dhe në këtë rast, dhe presidenti i shoqatës së Tenisit Tirana, Fatos Nallbani në këtë aspekt thekson se janë marrë të gjitha masat që gjithçka të jetë sa më normale për sportistët por dhe praktikuesit e lojës.
Fëmijët që ushtrojnë prej pak kohësh këtë sport janë ata që kanë ndjerë më së tepërmi mungesën e tenisit pas një mbyllje të gjatë, dhe rikthimi në fushë është vetë lumturia për ta, që ë në fund kanë mundësinë që në ambjentet e Tenis Tirana, të marrin sërish raketën ndër duar.
Ruajta megjithatë e distancës fizike te fëmijët nuk është e thjeshtë, po për instruktore Nikin, që këtë punë e bënë prej disa vitesh është kënaqësi jo vetëm përkushtimi ndaj më të vegjëlve por gjithashtu dhe rikthimi i tenisit, që në fakt është një sport ku kontakti fizik nuk ekziston.
Të praktikosh sportin e tenisit, është një mënyrë jo vetëm e shëndetshme por gjithashtu dhe një mënyrë ideale për të kaluar orë të këndshme në një ambjent të këndshëm në fushat e tenisit të shoqatës tirana, si një mundësi më tepër që ofrohet në kryeqytet në këto ditë kur dhe temperaturat kanë filluar të rriten e bashkë me to po rikthehet sporti por dhe jeta.