Edhe tre profesorë i bashkohen Lëvizjes Vetëvendosje
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka bërë me dije se kësaj lëvizje sot i janë bashkuar edhe tre profesorë, Astrit Rexhepi, Ardiana Veseli dhe Mufail Salihaj.
Kurti ka thënë se me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me angazhimin e dijeve dhe të përvojës së profesionistëve të zotë, do të shohim një gjallërim në të gjitha fushat e jetës e shoqërisë në Kosovë si dhe një shtim të larmisë së ekonomisë së vendit.
Sipas tij, fara e zhvillimit është mbjell tashmë.
Postimi i plotë i Kurtit:
Në Lëvizje na u bashkuan Prof. Astrit Rexhepi, Ardiana Veseli dhe Prof. Mufail Salihaj.
Astriti ka mbaruar studimet doktorale në fushën e Vizionit Kompjuterik në Surrey University në Angli. Ka vazhduar si kërkues bashkëpunëtor i profesorit të nderuar Herman Chernoff në dy institucionet prestigjioze, në Universitetin e Harvard-it dhe në MIT, dhe aktualisht është profesor në Kolegjin Riinvest në Kosovë.
Ardiana jeton në të Gjermanisë, është diplomuar në biomjekësi, ka shërbyer si vullnetare për ndihmë mjekësore dhe është trajnere pranë programit Koncepte mbi Teknikat e Mbijetesës, program i ndihmës së parë në situata të jashtëzakonshme për stërvitjen e anëtarëve të organizatave qeveritare ose joqeveritare të cilëve u duhet të zhvendosen në zona konflikti dhe në situata ekstreme.
Ndërsa Mufaili është ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe Kolegjin UBT. Prof. Salihaj ka doktoruar në “Mbetjen e pesticideve në ushqime”, ka botime të shumta në revista shkencore ndërkombëtare në Evropë dhe ShBA, si dhe ka marrë pjesë në dhjetëra specializime e trajnime jashtë vendit në fushën e Patologjisë së bimëve .
Me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me angazhimin e dijeve dhe të përvojës së profesionistëve të zotë, do të shohim një gjallërim në të gjitha fushat e jetës e shoqërisë në Kosovë si dhe një shtim të larmisë së ekonomisë së vendit. Fara e zhvillimit është mbjell tashmë.
/Epoka e re/