Edhe tre sportistë nga Kosova dhe katër nga Shqipëria në ‘Paris 2024’ 

04 korrik 2024 | 11:10

Lojërat Olimpike “Paris 2024” fillojnë në këtë muaj dhe lajm i mirë për shqiptarët është se edhe shtatë sportistë të tjerë, tre nga Kosova dhe katër nga Shqipëria, do të marrin pjesë në Paris.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se atletja Gresa Bakraçi dhe notarët Hana Beiqi dhe Adell Saboviq do ta përfaqësojnë Kosovën në këto lojëra. “Gresa Bakraçi do ta përfaqësojë sportin e atletikës në Lojërat Olimpike Paris 2024. Atletja jonë do të garojë në disiplinën e 800 metrave. Gresa merr pjesë me ftesë të univerzalitetit, pas përzgjedhjes së bërë nga komisioni përkatës i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF)”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

“Hana Beiqi dhe Adell Saboviq do ta përfaqësojnë notin e Kosovës në Lojërat Olimpike Paris 2024. Të dy notarëve u janë konfirmuar ftesat e univerzalitetit nga Federata Botërore e Sporteve të Ujit, falë më së shumti pikëve të FINA-s gjatë procesit kualifikues”, thuhet në njoftim.

Hana do të garojë në disiplinën 50 metra stil i lirë, ndërsa Adelli në 100 metra stil i lirë. Adelli është me prejardhje nga Peja, ndërsa karrierë ka bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sportistët e tjerë që e përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e Parisit janë Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova, Loriana Kuka, Laura Fazliu dhe Donjeta Sadiku. Shqipëria në Lojërat Olimpike do të përfaqësohet me tetë sportistë. Përveç katër sportistëve që janë kualifikuar me normë olimpike, listës kuqezi i shtohen edhe katër sportistë me ftesa. Ata janë atleti Franko Burraj, qitësja Manjola Konini si dhe notarët Greisi Koxhaku e Kaltra Meça. Këta katër sportistë u bashkohen tre mundësve Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev e Chermen Valiev si dhe atletes Luiza Gega, që janë kualifikuar në Olimpiadë duke kapur normën olimpike. Së shpejti pritet që KOKSh-i t’i shpallë edhe sportistët që do ta mbajnë flamurin kuqezi në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike (26 korrik).

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E kuptojmë sa të frustruar mund të jeni, çdo ditë…